Kosova

Kosovë: Prej inspektimeve për dy ditë, ndalohet puna në 27 vendpunishte

Inspektorati Qendror i Punës në Kosovë, ka njoftuar se në vazhdën e inspektimeve nëpër vendet e punës ka ndaluar punën në 27 vendpunishte të ndërtimtarisë gjatë 48 orëve të fundit.

Aksioni inspektues u zbatua me vendim të Ministrisë së Punës, në të gjithë territorin e Kosovës ndërsa në 48 orët e fundit, fokus ka qenë sektori i ndërtimtarisë, teksa vetëm në Prishtinë është ndaluar puna në 9 vendpunishte, në 6 të tjera në Ferizaj e në 4 në Prizren.

Sipas njoftimit, gjithashtu pronarët e këtyre kompanive janë procesuar në Gjykata për kundërvajtje, në raport me shkeljet e konstatuara që janë gjetur nëpër vendet e punës.

“Në përfundim të Aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procesohen në Gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara. Procesi i Riinspektimeve do të kryhet në ditët në vijim të aksionit sipas afateve kohore të përcaktuara nga Inspektorët për eliminim të parregullësive”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, në Kosovë vetëm gjatë këtij viti 9 persona kanë vdekur në vendin e punës.