Shqipëria
7 qytetet historike të Shqipërisë
Qytetet shqiptare u ofrojnë adhuruesve të historisë një pasqyrë të trashëgimisë së pasur të vendit
Pas një periudhe traumatike nën sundimin komunist, Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion turistik evropian dhe mirëpret vizitorë ndërkombëtarë, që kërkojnë të zbulojnë historinë e saj të larmishme, shkruan Jimmy Chen në një artikull të botuar “The Collector”.
Qytetet shqiptare u ofrojnë adhuruesve të historisë një pasqyrë të trashëgimisë së pasur të vendit, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.
Romakët lanë një gjurmë të madhe në qytetin bregdetar të Durrësit, i cili, së bashku me Shkodrën, dikur ishte pjesë e perandorisë detare të Venicias.
Kruja shërbeu si një bastion i rezistencës shqiptare ndaj pushtimit osman, ndërsa arkitektura tërheqëse osmane në Gjirokastër dhe Berat është njohur si Pasuri Botërore e UNESCO-s.
Shqipëria e pavarur lindi në qytetin bregdetar jugor të Vlorës, ndërsa kryeqyteti i Tiranës është një qytet i gjallë që kërkon të kapërcejë të kaluarën e tij komuniste.
- Tirana
Tirana është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Shqipërisë, me një popullsi prej rreth 400 000 banorësh.
Ndërsa zona ka qenë e banuar që në lashtësi, vetë qyteti u themelua relativisht vonë, në fillim të shekullit XVII, dhe u bë një qendër e rëndësishme tregtare dhe artistike.
Pasi u bë kryeqytet i përkohshëm në vitin 1920 dhe përfundimisht në vitin 1925, Tirana përjetoi një zhvillim të shpejtë urban nën ndikimin e planifikuesve italianë.
Qyteti pësoi dëme të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u rindërtua nga autoritetet komuniste.
Sheshi Skënderbej në qendër të qytetit është i rrethuar nga ndërtesa fetare dhe kulturore.
Xhamia Et’hem Beut, e ndërtuar në fillim të shekullit të XIX, është një nga strukturat më të vjetra që i shpëtoi shkatërrimit.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ndodhet në lindje të sheshit, ndërsa Muzeu Historik Kombëtar në veriperëndim.
I hapur në vitin 1981, muzeu ofron një pamje të plotë të historisë shqiptare nga Pirro i Epirit deri te pavarësia dhe periudha komuniste, dhe përfshin edhe një hapësirë për Nënë Tereza.
Kalaja e Tiranës ndodhet mbi një fortesë bizantine të ndërtuar nga Justiniani i Madh, por sot është kthyer në një zonë tregtare dhe restorantesh. Një nga strukturat më unike është Piramida e Tiranës, e ndërtuar si muze për diktatorin komunist Enver Hoxha në vitin 1988.
Pas rënies së komunizmit, ajo shërbeu si qendër konferencash, bazë e NATO-s gjatë Luftës së Kosovës 1999 dhe sot është kthyer në qendër IT.
Gjithashtu, në Tiranë ndodhen bunkerët nëntokësorë të periudhës së Hoxhës.
Bunk’Art 1 ofron një histori rreth komunizmit, ndërsa Bunk’Art 2 fokusohet te shtypja politike.
2.Gjirokastra
Gjirokastra njihet për shtëpitë e gurta nga periudha osmane.
Emri i qytetit vjen nga greqishtja “kala e argjendtë”.
Kalaja madhështore mbi kodër është atraksioni kryesor.
Nga muret e saj shihet qartë pse quhet “Qyteti i Gurtë”.
Shtëpitë karakteristike u ndërtuan nga familje të pasura midis shekujve XVII–XIX.
Shtëpi si ajo e Skëndulit dhe Zekatit ofrojnë guida për vizitorët.
Qyteti është vendlindja e shkrimtarit Ismail Kadare dhe diktatorit Enver Hoxha.
Shtëpia e Hoxhës është kthyer në Muze Etnografik.
3.Berati
Berati njihet si “Qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të arkitekturës së veçantë.
Lumi Osum ndan lagjet myslimane dhe të krishtera.
Kalaja e Beratit, e shekullit XIII, është atraksioni kryesor dhe ende i banuar.
Brenda saj ndodhet Muzeu Ikonografik i Onufrii, me mbi 200 ikona të piktorit Onufri.
4.Shkodra
Shkodër daton që nga ilirët e lashtë. Qyteti ndodhet pranë Liqenit të Shkodrës.
Atraksionet përfshijnë Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe Kalanë e Rozafës, nga ku shihen pamje mahnitëse.
Shkodra është porta drejt Alpeve Shqiptare dhe fshatit Theth, i njohur për shtegun Theth-Valbonë.
5.Kruja
Kruja lidhet ngushtë me heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej.
Kalaja e Krujës ishte baza e rezistencës kundër osmanëve. Sot aty ndodhet Muzeu Kombëtar i Skënderbeut.
Pazari i Krujës ofron suvenire tradicionale, ndërsa mali i Krujës ofron pamje panoramike dhe përfshin një teqe kushtuar Sari Salltikut.
6.Durrësi
Durrësi është qyteti i dytë më i madh dhe u themelua si Epidamn në shekullin VII p.e.s. Më vonë u quajt Dyrrah.
Atraksioni kryesor është Amfiteatri i Durrësit i ndërtuar nga perandori Hadrian.
Qyteti ishte pjesë e rrugës Egnatia dhe një port i rëndësishëm historik.
7.Vlora
Vlora luajti një rol kyç në shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali.
Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ndodhet në ndërtesën historike ku u shpall pavarësia.
Vlora është pranë Rivierës Shqiptare, ndërsa në Porto Palermo ndodhet kalaja e Ali Pashë Tepelenës dhe një bazë nëndetësesh.
E-Diaspora
-
Ekstradohet nga Gjermania i dyshuari për vrasje në Kosovë Rasti kishte ndodhur në korrik 2025 në fshatin Gojbulë, i dyshuari dërgohet në mbajtje... -
Gjermani
25-vjeçari nga Kosova humb jetën aksidentalisht në Gjermani -
Zvicër
Shqiptari nga Kosova humb jetën në aksident trafiku në Zvicër -
Paris
Angelin Preljocaj në qendër të një mbrëmjeje artistike në Muzeun Luvër -
Britani
Oficerja e parë e FSK-së po ndjek kursin e avancuar të inxhinierisë ushtarake në Britani
Jeta në Zvicër
-
Zvicra tani jeton me kredi për nevojat e saj energjetike Burimet vendase ishin të mjaftueshme deri të hënën, më 27 prill, për të mbuluar nevojat energjetike... -
Kantonet e Zvicrës Perëndimore bashkohen për të kundërshtuar nismën e emigracionit -
Më shumë se gjysma e popullsisë zvicerane i konsideron kushtet aktuale sociale si “të padrejta” -
Banorët e zonës kufitare u kërkohet të sigurohen që janë të regjistruar në Francë -
Imigracioni ka qenë një temë e nxehtë në Zvicër për dekada të tëra











