Maqedonia

Delegacion i lartë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut viziton Zvicrën

Presidenti Gashi zhvilloi takime në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ku u diskutua mbështetja zvicerane për reformat dhe integrimin evropian

Një delegacion i nivelit të lartë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka mbërritur në Zvicër për një vizitë pune, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit, Presidenti Gashi dhe delegacioni u takuan me Ambasadorin Christian Frutiger, Ndihmës Drejtor i Përgjithshëm dhe Shef i Divizionit të Bashkëpunimit Tematik, si dhe me Séverine Donnet-Descartes, Shefe e Seksionit për Evropën Lindore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Në takim u diskutua partneriteti i fuqishëm mes Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe vazhdimi i mbështetjes zvicerane në projekte zhvillimore dhe institucionale.

Një nga temat kryesore ishte Programi për Mbështetje Parlamentare (PSP), i cili ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e Institutit Parlamentar, forcimin e kapaciteteve administrative dhe kërkimore, si dhe në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies brenda Parlamentit.

Zvicra u riafirmua si një partner i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut në procesin e reformave dhe në rrugën drejt integrimit evropian./Albinfo.ch