Lajme

Çfarë ndryshon në Zvicër gjatë qershorit 2026

Nga referendumi për emigracionin deri te linjat e reja të trenave – qershori sjell disa ndryshime të rëndësishme në Zvicër

Muaji qershor do të sjellë një sërë ndryshimesh dhe ngjarjesh të rëndësishme në Zvicër, duke përfshirë referendume kombëtare, masa sigurie në kufi, zgjerim të transportit hekurudhor dhe vendime lokale për taksat e pagat, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Nga 1 qershori hyn në fuqi në kantonin e Cyrihut “Mobility Initiative”, e miratuar nga 57% e votuesve. Masa i jep autoriteteve kantonale më shumë kontroll mbi kufijtë e shpejtësisë në rrugët kryesore dhe autostrada, ndërsa kufizimi 30 km/h do të aplikohet vetëm në raste të veçanta.

Nga 1 deri më 19 qershor zhvillohet sesioni veror i parlamentit federal, ku deputetët do të diskutojnë tema si:

bashkimi familjar për martesat me “proxy”

shërbimi ushtarak për shtetasit dualë franko-zviceranë

dhe masat për lehtësimin e borxheve të familjeve.

Më 14 qershor zviceranët do të votojnë për dy çështje kombëtare:

iniciativën “No to 10 million”, që synon kufizimin e popullsisë në 10 milionë banorë

dhe ndryshime në ligjin për shërbimin civil, që do ta bënin më të vështirë kalimin nga ushtria në shërbimin civil.

Po atë ditë do të mbahen edhe disa referendume kantonale. Në Gjenevë do të votohet për zgjerimin e orareve të hapjes së dyqaneve të dielave, në Vaud për pagën minimale prej 23 frangash në orë, ndërsa në Cyrih për çështje që lidhen me qiratë dhe zbritjet tatimore për sigurimet shëndetësore.

Më 14 qershor do të zhvillohet edhe greva feministe vjetore, ku mijëra gra pritet të dalin në protesta në të gjithë Zvicrën për çështje si pagat, kushtet e punës dhe kujdesi për fëmijët.

Nga 15 deri më 17 qershor, samiti i G7 në Evian të Francës do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në Gjenevë. Autoritetet zvicerane do të vendosin kontrolle më të ashpra kufitare dhe do të mbyllin rreth 30 pika të vogla kufitare mes Francës dhe Zvicrës. Vonesa të mëdha në trafik priten sidomos në pikat kryesore kufitare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm vjen më 18 qershor, kur operatori European Sleeper do të nisë linjën e re të trenit të natës që lidh Bernën me Brukselin, Amsterdamin dhe Milanon. Treni do të qarkullojë tri herë në javë në secilin drejtim.

Më 21 qershor nis zyrtarisht vera astronomike në hemisferën veriore, ndërsa më 30 qershor skadon afati për deklaratat tatimore me shtyrje në disa kantone, përfshirë Ticinon, Vaud-in dhe Zugin.