Lajme
Si u bë Zvicra eksportuesja e dytë më e madhe e kafesë në botë pa e kultivuar?
Zvicra ka arritur një sukses ekonomik që sfidon logjikën: ndonëse klima e saj nuk lejon kultivimin e kafesë, vendi renditet si eksportuesi i dytë më i madh në botë pas Brazilit.
Falë markave të njohura botërore si Nespresso, rrjetit të fuqishëm të tregtisë dhe industrisë së përpunimit premium, eksportet zvicerane të kafesë kanë arritur vlerën e rreth 3.3 miliardë frangave në vitet e fundit. Kjo e vendos Zvicrën përpara vendeve tradicionale prodhuese si Kolumbia, Etiopia dhe Vietnami.
Sipas Barometrit të Tregtisë të publikuar nga Universiteti i St. Gallen, fitimet kryesore gjenerohen gjatë procesit të përpunimit. Kokrrat e papërpunuara importohen me një çmim mesatar prej rreth 5 dollarësh për kilogram, ndërsa pas pjekjes dhe përpunimit në Zvicër, vlera e tyre arrin mesatarisht në 26.8 dollarë për kilogram.
Kjo diferencë e madhe fitimi e ka kthyer kafenë në produktin kryesor bujqësor eksportues të Zvicrës, duke lënë pas edhe produkte tradicionale si çokollata dhe djathi, transmeton albinfo.ch.
Sekreti i “transformimit substancial”
Edhe pse Zvicra nuk prodhon kafe, ligji ndërkombëtar tregtar i lejon produktit të mbajë origjinën zvicerane. Arsyeja qëndron te koncepti juridik i quajtur “transformim substancial”.
Sipas këtij kriteri, një produkt konsiderohet me origjinë nga vendi ku ka kaluar transformimin kryesor industrial. Autoritetet doganore ndërkombëtare e njohin procesin e pjekjes së kafesë si transformim vendimtar, duke bërë që kafeja e përpunuar në Zvicër të konsiderohet produkt zviceran.
“Coffee Valley” dhe teknologjia zvicerane
Përtej tregtisë së kokrrave të kafesë, në Zvicër është zhvilluar një ekosistem i tërë industrial. Përveç gjigantëve si Nestlé me markat Nescafé dhe Nespresso, vendi është lider edhe në prodhimin e makinave të kafesë.
Sipas vlerësimeve, rreth 70% e makinave automatike të kafesë në botë prodhohen nga kompani zvicerane si Jura, Schaerer dhe Thermoplan. Kjo e fundit furnizon edhe rrjetin amerikan Starbucks me pajisje profesionale.
Suksesi mbështetet gjithashtu te industria zvicerane e komponentëve precizë, të cilët duhet të përballojnë presion deri në 20 bar dhe temperatura mbi 100 gradë Celsius për të garantuar cilësi të lartë të kafesë.
Qendra globale e tregtisë së kafesë
Zvicra luan rol kyç edhe në tregtinë ndërkombëtare të lëndëve të para. Sipas të dhënave të Universitetit të St. Gallen, mes 60% dhe 70% e tregtisë globale të kafesë së papjekur kalon përmes Zvicrës.
Shoqata Zvicerane e Tregtarëve të Kafesë, që përfshin rreth 40 kompani, kontrollon më shumë se gjysmën e tregtisë botërore të kafesë së gjelbër.
Rritja e popullaritetit të kapsulave të kafesë që nga fillimi i viteve 2000 ka ndikuar ndjeshëm në bum-in e eksporteve. Nespresso, lider global në këtë segment, prodhon të gjitha kapsulat e saj në tri fabrika të vendosura në Zvicër.
E kaluara koloniale dhe sfidat e sotme
Megjithatë, suksesi i industrisë së kafesë lidhet edhe me kapituj të errët historikë. Edhe pse Zvicra nuk kishte koloni, disa familje zvicerane zotëronin plantacione kafeje në vende të tjera.
Historianët përmendin familjen Escher, e cila kishte plantacione në Kubë ku, sipas dokumenteve historike, skllevër të mbikëqyrur me qen punonin deri në 14 orë në ditë. Sot, industria zvicerane e kafesë po përpiqet të distancohet nga kjo trashëgimi dhe të përmirësojë imazhin e saj përmes iniciativave të qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore në vendet prodhuese.
Dy vite më parë, kompanitë e sektorit krijuan platformën “Swiss Sustainable Coffee Platform”, me synimin për të promovuar prodhim më të qëndrueshëm dhe kushte më të mira për fermerët në vendet prodhuese.
E-Diaspora
-
Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Imer Hajdari Mjeku shqiptar nga Drenica ka pasur tri ordinanca gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike në Cyrih, në Bernë... -
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën -
Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027 -
Zvicër
Vexhid Sejdiu: Shkolla Shqipe në Zvicër mbyll vitin shkollor, nisin regjistrimet për 2026/2027 -
Kosovë
135 futbollistë e futbolliste nga diaspora morën pjesë në kampet e FFK-së
Jeta në Zvicër
-
“Na duhet referendum për kondicionerët” – si po luftojnë zviceranët me vapën ekstreme Nga peshqirët e lagur te paketat me akull dhe kërkesat për më shumë kondicionerë - banorët... -
Zvicra nis hetim ndaj Google -
Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Imer Hajdari -
Temperaturat rekord po arrijnë edhe majat më të larta të Zvicrës -
Të nxehtit në Zvicër po merr më shumë jetë sesa aksidentet rrugore











