Lajme

Lumi Aare arrin 20 gradë Celsius, rekord që nuk ishte parë që nga viti 1975

Ekspertët e lidhin këtë fenomen me temperaturat e larta të javëve të fundit, të cilat kanë ngrohur jo vetëm ajrin, por edhe lumenjtë dhe liqenet zvicerane

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën po sjell rekorde të reja. Lumi Aare në Bernë ka arritur temperaturën prej 20 gradë Celsius në fund të muajit maj, diçka që nuk kishte ndodhur kaq herët që nga viti 1975.

Sipas matjeve të kryera në zonën e njohur të notit Marzili në Bernë, pragu i 20 gradëve u arrit më 30 maj. Zakonisht, Aare e kalon këtë temperaturë gjatë muajit qershor. Vitin e kaluar kjo ndodhi më 13 qershor, ndërsa në vitin 2024 vetëm më 27 korrik për shkak të një vere më të freskët dhe me reshje të shumta, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët e lidhin këtë fenomen me temperaturat e larta të javëve të fundit, të cilat kanë ngrohur jo vetëm ajrin, por edhe lumenjtë dhe liqenet zvicerane. Megjithatë, meteorologët paralajmërojnë se javën e ardhshme pritet një rënie e temperaturave dhe mot më i freskët.

Ngrohja e hershme e ujërave konsiderohet një tjetër tregues i ndikimit të valëve të nxehtësisë që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Evropë.