Gjuha
Çështja çame, një plagë e pambyllur që rrezikon të harrohet
Një pasdite debati me temën “Çështja çame: Histori, të drejtat e njeriut dhe dialog” u zhvillua në Bibliotekën "Pestalozzi", në Cyrih
Çështja çame ose kujtimi i dramës që ka pësuar popullata e Çamërisë 82 vite më parë, ka bërë bashkë të shtunën që shkoi një numër akademikësh, njohës të çështjes dhe veprimtarë, në Bibliotekën Pestalozzi, në Cyrih.
Organizatorë të pasdites së debatit të titulluar “Çështja çame: Histori, të drejtat e njeriut dhe dialog” ishin Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Lidhja Shqiptare në Botë.
Paneli i debatit përbëhej nga akademiku, historian dhe ish diplomat i njohur Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, diplomati, studiuesi dhe autori i njohur Luan Rama, Prof. Dr. Bashkim Kuçuku.
Debatin e drejtoi Nazmi Jakurti, kryetar i LSHB, jurist dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptar në Zvicër.
Të pranishëm në këtë aktivitet, kontributin e tyre e dhanë edhe drejtoresha e bibliotekës, Suela Jorgaqi, filantropi i njohur, Lazim Destani, gazetari veteran, Rexhep Rifati dhe publicisti e gazetari i njohur, Enver Robelli.
Akademik Xhufi në një fjalë të tij spontane u mor në mënyrë të zgjeruar me çështjen çame që nga fillimet e veta, duke u fokusuar më shumë në ndjekjen dhe diskriminimin që janë ushtruar në vazhdimësi ndaj çamëve.
Xhufi foli edhe për akuzat e padrejta si “kolaboracionistë” të nazistëve në Luftën e Dytë Botërore që u bënin çamëve qeveritarët dhe formacionet tjera greke, duke “legjitimuar” kështu masakrimin dhe ndjekjen e tyre nga Greqia. Ato ishin vetëm pretekst për t`i dëbuar dhe një vazhdimësi e politikës shfarosëse që Greqia udhëhiqte ndaj shqiptarëve, ka thënë veç tjerash profesor Xhufi.
Ai ka përvijuar edhe historinë e ndjekjes së elementit çam dhe shqiptar nga Greqia, që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, që ishte intensifikuar gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kishte kulmuar në Luftën e Dytë Botërore.
Studiuesi, diplomati dhe shkrimtari Luan Rama është ndalur më shumë në trashëgiminë kulturore çame. Jo si rezultat i dëbimit masiv të çamëve nga trojet e tyre, dhe moslejimit për tu kthyer ose të paktën për të vizituar vendlindjen rrezikon të shuhet.
Prof. Dr. Bashkim Kuçuku ka folur në cilësinë e pjesëmarrësit dhe dëshmitarit të shumicës së organizimeve çame në Shqipëri, nga vitet `90 e tutje. Ai ka theksuar se në periudhën e monizmit, çështja çame quhej në Shqipëri “çështje e mbyllur” dhe askush nuk mund të inicionte ndonjë organizim pa marrë rrezikun e ndjekjes mbi vete.
Dr. Kuçuku ka folur edhe për trajtimin që i është bërë çështjes çame nga aspekti i të drejtave të njeriut, në nivel ndërkombëtar, një trajtim që gjithmonë është penguar nga ndërhyrja greke dhe nga neglizhenca ose pafuqia shqiptare.
Kryetari i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, në fjalën e tij përmbledhëse ka shkoqitur faktorët që kanë bërë që çështja çame të sillet në një rreth të mbyllur.
Sipas tij, kësaj gjendjeje të rëndë i kanë kontribuuar, krahas politikës agresive greke edhe qëndrimi defansiv i shtetit shqiptar. Veliu madje ka drejtuar akuza të ashpra ndaj të gjitha qeverive të deritashme shqiptare, qëndrimi i të cilave, sipas tij, kufizohet me tradhti kombëtare.
Edhe nëse ka pasur ndonjë iniciativë për trajtimin e çështjes çame nga institucionet e shtetit shqiptar, ajo, në mënyrë të pashpjegueshme është heshtur, ka thënë ai.
Veliu ka folur edhe për takimin që ditë më parë delegacioni shqiptar kishte zhvilluar në Komisariatin e OKB-së për të drejtat e njeriut, i iniciuar nga fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Lidhja Shqiptare në Botë. Ky takim ishte i pari, pas disa dekadash, ka thënë ai, duke vënë theksin në pasivitetin e faktorit shqiptar në këtë drejtim.
Ai është ndalur edhe në nevojën e vendosjes së materies mbi çamët në programet shkollore në Shqipëri e në Kosovë, një punë që deri më sot, sipas tij, ka çaluar shumë.
Publicisti Enver Robelli është angazhuar për angazhim më të madh në drejtim të publikimit të teksteve dhe librave në gjuhët botërore, për të mbajtur të sensibilizuar opinionin botëror mbi çështje shqiptare dhe rrjedhimisht, edhe atë çame.
Rexhep Rifati gazetar veteran i njohur si një kronist i palodhur i diasporës shqiptare në Zvicër dhe në Itali, ka shpalosur përvojat e tij gjatë vizitave që u ka bërë trojeve çame, në Greqi.
Stilistja Flora Balaj i ka dhënë një ngjyrim interesant gjithë aktivitetit, me parakalimin e e saj dhe të disa bashkëpunëtorëve të saj me veshjet tradicionale çame.
Të tjera nga Gjuha
E-Diaspora
-
Lugina’s Day 2026 bashkon diasporën shqiptare në Zvicër për mbështetjen e Luginës së Preshevës Qindra pjesëmarrës nga Lugina e Preshevës, diaspora shqiptare, si dhe përfaqësues institucionesh, biznesesh dhe organizatash të... -
“Dardania” përfaqëson traditën shqiptare në “Tag der Vielfalt” -
Nga Gjeneva, diaspora shqiptare ngre zërin: “Shqipëria nuk është në shitje” -
Sot, LUGINA’S DAY 2026: Ngjarja që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër -
Florim Kadriu: “SVP po i kthen në frikë shqetësimet reale të qytetarëve”
Jeta në Zvicër
-
Ushtria zvicerane porosit artileri të re nga Gjermania Ushtria zvicerane po modernizon artilerinë e saj duke zëvendësuar obuset vetëlëvizëse M109, të cilat datojnë nga... -
Zvicër: Shërbimi Federal i Inteligjencës po monitoron 44 persona të rrezikshëm -
Kantoni zviceran ndan 1.25 milionë CHF për hetimin e rastit në Crans-Montana -
Ticino mbushi hotelet dimrin e kaluar -
Kantoni i Vaud do të mobilizojë 2200 persona gjatë G7


















