Kosova

Gjermania për paralajmërimet për zvogëlimin e trupave të KFOR-it: Do ta vazhdojmë angazhimin në Kosovë

Të premten nga selia ushtarake e NATO-s kanë paralajmëruar mundësinë e zvogëlimit të forcës së saj të sigurisë në Kosovë, duke tërhequr disa trupa dhe pajisje, për çka është përgjigjur Gjermania.

Autoritetet gjermane kanë njoftuar se ky shtet nuk po planifikon zvogëlimin e trupave të saj në Kosovë, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s teksa u tha se Forcat e Armatosura të Gjermanisë do të vazhdojnë misionin dhe angazhimin e tyre në Kosovë.

“Bundeswehr do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë.”, ka thënë një zëdhënës i Komandës së Forcave të Armatosura të Gjermanisë për media në Kosovë.

Gjithashtu, para pak ditësh, edhe Bundestagu gjerman kishte votuar për vazhdimin e misionit të saj në KFOR.

Ndryshe, Italia ka qenë ndër vendet që ishte deklaruar lidhur me mundësinë e zvogëlimit të trupave të saj në Kosovë.