Lajme

SBB i ripërdor vagonët e vjetër: nga trenat e vjetër në fasada dhe mobilie

Hekurudhat zvicerane Swiss Federal Railways (SBB) po u japin jetë të dytë vagonëve të vjetër EW4, duke i shndërruar pjesët e tyre në materiale ndërtimi dhe mobilie, në kuadër të ekonomisë qarkulluese dhe uljes së emetimeve të CO₂.

Dritaret e vagonëve, pas kontrollit të cilësisë, po ripërdoren në projekte ndërtimi në Cyrih, ku më shumë se 1 mijë prej tyre do të shërbejnë si elemente fasade në një ndërtesë të re. Materialet e papërdorshme riciklohen, ndërsa metali i trenave shkrihet dhe përdoret sërish në industri.

Gjithashtu, ulëset e klasit të parë po shiten për përdorim shtëpiak për shkak të komoditetit të tyre, ndërsa disa pajisje ndriçimi po shndërrohen në llamba dekorative.

SBB synon që përmes këtij procesi të zvogëlojë mbetjet dhe ndikimin mjedisor, duke treguar se edhe trenat e vjetër mund të kenë një përdorim të ri jashtë hekurudhës.