Kosova

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Prix të Kinës

Xhudistja kosovare triumfoi në kategorinë deri në 63 kilogramë, duke siguruar medaljen e dytë të vitit dhe pikët e para në ciklin olimpik për Lojërat Olimpike.

Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix të xhudos, që u mbajt në Qingdao të Kinës, transmeton albinfo.ch. 

Në luftën për vendin e tretë në kategorinë deri në 63 kilogramë, Fazliu e mposhti bjellorusen Yana Makretskaya me waza-ari, duke u ngjitur në podium.

Gjatë rrugëtimit të saj, Laura regjistroi fitore ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer dhe turkes Ozlem Yildiz, ndërsa në çerekfinale u ndal pas një dueli të gjatë e të fortë nga japonezja Narumi Tanioka. Në repesazh ajo u rikthye fuqishëm, duke mposhtur italianen Thauany Capanni Dias dhe më pas Makretskayan për medaljen e bronztë.

Kjo është medalja e dytë e Fazliut në vitin 2026, pas së argjendtës të fituar në Grand Prix të Austrisë. Me këtë sukses, 25-vjeçarja siguroi edhe 350 pikët e para në ciklin kualifikues për Lojërat Olimpike.

Kosova u përfaqësua në Qingdao me pesë xhudistë, ndërsa Laura Fazliu ishte e vetmja që arriti të fitojë medalje./Albinfo.ch