Lajme

Arabi Saudite: 14 të vdekur nga rrëzimi i helikopterit

Helikopteri, që i përkiste gjigantit shtetëror të naftës Aramco, u rrëzua në qytetin lindor të Ras Tanurës, duke lënë të vdekur të gjithë personat në bord

Katërmbëdhjetë persona humbën jetën kur një helikopter u rrëzua në Arabinë Saudite.

Helikopteri, që i përkiste gjigantit shtetëror të naftës Aramco, u rrëzua në qytetin bregdetar lindor të Ras Tanurës, duke lënë të vdekur të gjithë personat në bord, njofton Agjencia Saudite e Shtypit.

Të 14 viktimat ishin shtetas sauditë, raportoi agjencia, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

Ministria saudite e energjisë shprehu ngushëllimet e saj me familjet e viktimave.

Ras Tanura është qendra e një rafinerie të madhe nafte Aramco – një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se kompania kishte rinisur ngarkimin e naftës bruto në vend të premten pas një pauze pothuajse katërmujore për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.