Lajme
23-vjeçarja shqiptare në Danimarkë po ndërton një karrierë të suksesshme në ekonomi dhe kërkim shkencor
Me rezultate të shkëlqyera akademike, çmime prestigjioze dhe angazhime në institucione kërkimore e ndërkombëtare, Lajza Prekazi po shndërrohet në një nga historitë më frymëzuese të suksesit të rinisë shqiptare në diasporë.
Sukseset e të rinjve shqiptarë në diasporë vazhdojnë të dëshmojnë potencialin, përkushtimin dhe nivelin e lartë profesional që ata arrijnë në vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Një ndër këto histori frymëzuese është ajo e 23-vjeçares Lajza Prekazi, e lindur në Kolding të Danimarkës, me prejardhje nga Mitrovica e Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Që në vitet e para të shkollimit, Lajza u dallua për rezultate të shkëlqyera dhe interes të veçantë për shkencat ekzakte. Arsimin fillor e përfundoi në shkollën Vonsild Skole, ndërsa arsimin e mesëm në Munkensdam Gymnasium, në programin STX me fokus në Matematikë A, Fizikë A dhe Kimi B.
Rrugëtimi i saj akademik vazhdoi në Universitetin e Danimarkës Jugore (SDU), ku përfundoi studimet bachelor në Matematikë-Ekonomi dhe më pas vazhdoi studimet master në të njëjtin drejtim. Gjatë gjithë studimeve u shqua si studente e dalluar, duke arritur rezultate të larta dhe duke fituar vlerësimin e stafit akademik.
Talenti i saj u evidentua që herët, kur u përzgjodh në programet prestigjioze daneze “Akademiet for Talentfulde Unge” dhe “Junior Talent Kolding Gymnasium”, iniciativa të dedikuara për nxënësit më të talentuar në vend.
Paralelisht me studimet universitare, Lajza mbajti disa role akademike dhe kërkimore. Ajo punoi si asistente kërkimore në Departamentin e Ekonomisë, instruktore dhe asistente mësimdhënëse në Institutin e Matematikës dhe Informatikës (IMADA), si dhe në Institutin Ekonomik të SDU-së, duke kontribuar në mësimdhënien për studentët e nivelit bachelor dhe master.
Përveç angazhimit akademik, ajo ishte këshilluese akademike për studentët e programeve Matematikë-Ekonomi, Ekonomi dhe Studime të Popullsisë, mentore studimore, e-guide për studentët e rinj, si dhe nënkryetare dhe përfaqësuese e studentëve në Bordin e Studimeve të Universitetit për fushat e ekonomisë dhe matematikës.
Një nga sukseset më të rëndësishme të saj ishte fitimi i Çmimit Deloitte 2024, që iu nda për projektin më të mirë bachelor në Ekonomi dhe Matematikë-Ekonomi në Universitetin e Danimarkës Jugore.
Edhe në aspektin profesional, Lajza ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse. Fillimisht u angazhua si asistente studente në institutin kërkimor CEPOS në Kopenhagë, ndërsa nga 1 qershori 2026, ende pa përfunduar zyrtarisht studimet master, u punësua si ekonomiste, ku merret me analiza mbi rregullimin dhe çrregullimin ekonomik.
Analizat dhe artikujt e saj janë cituar nga media të njohura kombëtare daneze, ndërsa puna e saj profesionale është prezantuar edhe në konferencën ndërkombëtare EduBest në Porto të Portugalisë, transmeton tutje albinfo.ch.
Përvoja e saj ndërkombëtare përfshin edhe praktikën në Ambasadën Mbretërore Daneze në Varshavë, në Departamentin e Diplomacisë Ekonomike dhe Tregtisë, me fokus në sektorin e mbrojtjes.

Lajza është angazhuar gjithashtu në promovimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare. Ajo ka qenë Ambasadore e Demokracisë në organizatën DEO – Demokrati i Europa Oplysningsforbundet, pjesëmarrëse në forumin “Forum on the Future of the EU” në Madrid, si dhe pjesë e organizatës SILBA – Initiative for Dialogue and Democracy, ku misioni i saj më i fundit ishte vëzhgimi i zgjedhjeve në Hungari gjatë pranverës së vitit 2026.
Historia e Lajza Prekazit është një dëshmi se përkushtimi ndaj dijes, puna e vazhdueshme dhe angazhimi profesional mund të çojnë drejt arritjeve të mëdha në arenën ndërkombëtare. Ajo përfaqëson me dinjitet potencialin e rinisë shqiptare në diasporë dhe është një shembull frymëzues për brezat e rinj që synojnë ekselencën në arsim dhe karrierë./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Mërgimtarët raportojnë kontrolle të shtuara në Serbi, apel për kujdes gjatë sezonit të pushimeve Udhëtarë që kalojnë tranzit nëpër Serbi thonë se automjetet me targa të huaja po ndalohen për... -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
Londër
Sopranoja Anila Aliu debuton me sukses në Londër -
Elbenita Kajtazi sonte ngjitet në skenën e Operës së Cyrihut me një tjetër rol të Mozartit -
Vula e Ekselencës, si shndërrohet një diplomë e Kosovës në Licencë Auditimi në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Mbyllet pas 156 vitesh ëmbëltorja historike në Zvicër Confiserie Schiesser në Bazel, e njohur si kafeneja më e vjetër në Zvicër, ka shpallur falimentimin.... -
Në prag të pushimeve verore, aeroportet paralajmërojnë për pritje të gjata -
Fituesi fatlum fiton çmimin e madh të EuroMillions: 73.93 milionë franga -
Më pak qëndrime nate gjatë majit, në Zvicër -
Raport mbi skandalin e keqtrajtimit të kafshëve në Ramiswil














