Lajme
Mërgimtarët raportojnë kontrolle të shtuara në Serbi, apel për kujdes gjatë sezonit të pushimeve
Udhëtarë që kalojnë tranzit nëpër Serbi thonë se automjetet me targa të huaja po ndalohen për kontrolle të detajuara, ndërsa në disa raste, sipas tyre, po kontrollohen edhe telefonat celularë.
Me fillimin e sezonit të pushimeve verore, mijëra mërgimtarë nga Zvicra dhe vende të tjera të Evropës po marrin rrugën drejt Kosovës dhe Shqipërisë. Krahas fluksit të madh të udhëtimeve, janë shtuar edhe shqetësimet e disa udhëtarëve që kalojnë tranzit nëpër Serbi, transmeton albinfo.ch
Disa mërgimtarë kanë raportuar për Albinfo.ch se gjatë ditëve të fundit janë përballur me kontrolle të detajuara nga autoritetet serbe në pikat kufitare dhe gjatë rrugës.
Njëri prej tyre, i cili udhëtoi së fundmi drejt Kosovës, tha se automjeti i tij me targa të huaja u ndalua për kontroll. Sipas dëshmisë së tij, autoritetet kërkuan të kontrollonin edhe telefonin celular, përfshirë profilet në rrjetet sociale, me vëmendje të veçantë ndaj publikimeve me përmbajtje politike ose simboleve kombëtare.
I njëjti udhëtar tha se në pikën kufitare të Batrovcit automjetet me targa të huaja po i nënshtroheshin kontrolleve një nga një, gjë që, sipas tij, krijoi kolona të gjata pritjeje. Ai pretendon se asnjë automjet me targa të huaja nuk lejohej të kalonte pa një kontroll të detajuar.
Këto raportime kanë rritur shqetësimin te një pjesë e mërgimtarëve që po planifikojnë udhëtimin drejt vendlindjes gjatë javëve në vijim.
Për këtë arsye, disa bashkatdhetarë u bëjnë thirrje mërgimtarëve të tregojnë kujdes gjatë udhëtimit dhe, nëse kanë mundësi, të shqyrtojnë itinerare alternative për të shmangur kalimin tranzit nëpër Serbi.
Me rritjen e numrit të udhëtimeve gjatë muajve të verës, udhëtarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare të autoriteteve kompetente dhe të informohen për situatën në pikat kufitare përpara nisjes.
Në një reagim për Albinfo, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, rikujtoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë mërgimtarët, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë. Sipas tij, qytetarët inkurajohen të përdorin rrugë alternative përmes Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë ose Italisë, me lidhje trageti drejt Shqipërisë.
Ambasadori Latifi rekomandon gjithashtu që gjatë udhëtimit qytetarët të mbajnë kontakte të rregullta me familjarët e tyre. Në rast ndalimi ose vështirësish gjatë tranzitit, ai këshillon që të kërkohet njoftimi i menjëhershëm i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, në mënyrë që të mund të ofrohet asistenca e nevojshme.
Për raste të tilla, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd në këta numra:
+381 11 212 3984
+383 49 448 569
E-Diaspora
-
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit Në qendër të ofertës është AlphaN sistemi i kallëpimit të mureve, i projektuar për të kombinuar... -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
“Sot me 200 mijë euro blini një apartament ëndrrash në Shqipëri, pas disa vitesh vetëm gjysmën” -
Danimarkë
23-vjeçarja shqiptare në Danimarkë po ndërton një karrierë të suksesshme në ekonomi dhe kërkim shkencor
Jeta në Zvicër
-
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit Në qendër të ofertës është AlphaN sistemi i kallëpimit të mureve, i projektuar për të kombinuar... -
Studim: Zvicra ndër vendet me mundësitë më të mira për përparim shoqëror -
Valët e të nxehtit do të bëhen “normaliteti i ri” në Zvicër -
Mbyllet pas 156 vitesh ëmbëltorja historike në Zvicër -
Në prag të pushimeve verore, aeroportet paralajmërojnë për pritje të gjata











