Kosova

Kurti dhe Konjufca urojnë SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke vlerësuar rolin historik të SHBA-së në mbështetjen e lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së shqiptarëve, përcjell albinfo.ch.

Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se Deklarata e 4 Korrikut e vitit 1776 vendosi themelet e vlerave universale të lirisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, të cilat, sipas tij, kanë frymëzuar edhe historinë e popullit shqiptar. Ai kujtoi takimin e Fan Nolit me presidentin amerikan Woodrow Wilson më 4 korrik 1918, si dhe mbështetjen e Wilsonit për ruajtjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore.

Kurti vlerësoi edhe rolin vendimtar të SHBA-së në procesin e pavarësisë së Kosovës, duke veçuar deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007, kur ai tha se “Kosova është e pavarur”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se 4 Korriku shënon lindjen e një ideje që ndryshoi historinë moderne, duke vendosur lirinë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi qeverisjen në themel të shtetit demokratik.

Konjufca theksoi se parimet e Deklaratës së Pavarësisë kanë frymëzuar popujt që luftojnë për liri dhe vetëvendosje, ndërsa vlerësoi edhe rolin historik të presidentit Woodrow Wilson dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.

Në fund, të dy krerët e institucioneve uruan popullin amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke riafirmuar mirënjohjen e Kosovës për miqësinë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Albinfo.ch