Kosova

Mbi 11 mijë qytetarë nga Kosova kaluan në Shqipëri brenda katër orësh

Fundjava e parë e korrikut ka sjellë fluks të madh të udhëtarëve në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova janë nisur drejt bregdetit shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, vetëm nga ora 05:00 deri në 09:00 në Shqipëri kanë hyrë 11,725 shtetas të Kosovës me 2,740 automjete.

Për shkak të numrit të madh të udhëtarëve janë krijuar radhë të përkohshme në kufi, ndërsa autoritetet kanë vënë në funksion të gjitha sportelet e kontrollit për të përshpejtuar procedurat e kalimit.

Për automjetet me targa të Kosovës po zbatohet regjimi i kalimit të lehtësuar, ndërsa për automjetet me targa të huaja po ndiqen procedura të përshpejtuara për të shmangur pritjet.

Ndërkohë, qarkullimi në drejtim të Morinës është rënduar edhe nga dy aksidente të ndodhura njëri pas tjetrit në Vërmicë, pranë kufirit me Shqipërinë./Albinfo.ch