Kosova

Kurti pas takimit me Hamzën: Biseda ishte konstruktive, për presidentin duhet figurë konsensuale

Kryetari i LVV-së tha se nuk pati rezultat konkret nga takimi me kreun e PDK-së, ndërsa shprehu pritjen për një qasje të ngjashme edhe në takimin me Lumir Abdixhikun.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, e ka cilësuar konstruktiv takimin e zhvilluar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja. Megjithatë, ai bëri të ditur se nga ky takim nuk ka dalë ndonjë marrëveshje konkrete, përcjell albinfo.ch.

Kurti tha se shpreson që fryma e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në takimet e tjera me liderët politikë, në mënyrë që institucionet e reja të konstituohen brenda afateve kushtetuese.

“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe, në përputhje me afatet, t’i konstituojmë institucionet. Për bindjen time, vullneti është aty dhe atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, deklaroi Kurti.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ai theksoi se kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha partive parlamentare dhe se vendi ka nevojë për një figurë që gëzon konsensus të gjerë.

“Pikënisja duhet të jetë një figurë konsensuale, dikush që nuk i përket asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale politike, me vlera të dëshmuara kombëtare dhe profesionale, që përfaqëson unitetin. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit përgjegjësi kemi të gjithë”, u shpreh ai.

Kurti komentoi edhe refuzimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, për t’iu përgjigjur ftesës për takim, ndërsa tha se pret një qasje konstruktive në takimin e pasdites me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Takimet zhvillohen në kohën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e rinj duhet ta konstituojnë legjislaturën e njëmbëdhjetë deri më 7 gusht, ndërsa zgjedhja e presidentit kërkon mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet pozitës dhe opozitës./Albinfo.ch