Kosova

Kos e tronditur nga deklaratat e ministres serbe

“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar”, deklaroi Marta Kos

Rreth deklaratës skandaloze dhe nxitëse të ministres së qeverisë së Serbisë për pastrimin etnik në Kosovë është përgjigjur edhe Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Ajo tha se është e tronditur se ka deklarata të tilla dhe e shpreh se shpreson që kjo të mos jetë qëndrim i qeverisë së Serbisë por një deklaratë individuale, transmeton albinfo.ch.

Kos e tha këtë në një konferencë për shtyp në Bruksel pas mbylljes së dy kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi.

Ajo u pyet se a qëndron akoma Komisioni Evropian pas vlerësimit pozitiv që ka bërë për Serbinë lidhur me angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.

“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themele është ndërtuar BE-ja e pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, është përgjigjur Kos.