Kosova
Verë me aromë atdheu
Si i hapin komunat e Kosovës dyert për diasporën në korrik dhe gusht 2026
Në Kosovë, vera nuk është vetëm kohë pushimesh. Për mërgatën, korriku dhe gushti janë muajt kur familjet bashkohen, qytetet mbushen me jetë dhe vendlindja kthehet në pikëtakim.
Gjakova: dymbëdhjetë net kur qyteti këndon shqip
Sipas Artan Haraqijës, zëdhënës i Komunës së Gjakovës, “në Gjakovë, aktiviteti kryesor i verës është “Ditët e Shqiptarit”, që mbahet gjatë dy fundjavave të fundit të korrikut dhe dy të parave të gushtit. Programi sjell dymbëdhjetë net me këngëtarë të njohur shqiptarë në tri skena, bashkë me panaire, ekspozita dhe tribuna.
Krahas tij, qyteti ofron festivalin e teatrit “Gjakova Art”, aktivitetin tradicional “N’ Odën e Malësisë së Gjakovës”, garat e kërcimeve nga Ura e Fshejt, “Old Timer Fest 2026”, aktivitete rinore dhe aksione mjedisore në Çabrat e Shkugëz. Për diasporën, Gjakova ofron një verë ku muzika, tradita dhe qyteti bëhen bashkë.
Ferizaj: nga Jezerca te tryezat e biznesit
Sipas Fatbardha Sallahut, Zyrtare për Zhvillim të Turizmit në Ferizaj “Ferizaj e pret mërgatën me një program që lidh kulturën, natyrën, sportin dhe ekonominë. Gjatë verës parashihen festivale vallesh, aktivitete artistike, ekspozita fotografie, panaire libri dhe koncerte me shoqata shqiptare nga diaspora.
Për ata që duan natyrë dhe lëvizje, programi përfshin ecje malore, lojëra në ujë, turnire futbolli dhe ditën tradicionale “Bjeshkët e Jezercit”. Ndërsa takimet B2B, tryezat me bizneset e mërgatës, panairi artizanal dhe vizitat turistike e bëjnë Ferizajn një vend ku diaspora ftohet jo vetëm të pushojë, por edhe të lidhet më afër me mundësitë e qytetit.
Peja
Edhe Peja ka përgatitur aktivitete për Muajin e Diasporës 2026. Programi nis me një ceremoni mirëseardhjeje për bashkatdhetarët, sipas kalendarit komunal.
Gjatë kësaj periudhe do të ketë panair të artizanateve lokale, panair të ushqimeve tradicionale dhe produkteve vendore, si dhe vizita në ferma lokale që prodhojnë produkte vendore.
Peja do të ofrojë edhe punëtori për mësimin e valleve tradicionale, vizita të hapura në Muzeun e Pejës dhe në Bibliotekën e Qytetit “Azem Shkreli”, lojë shahu, mbrëmje poezie dhe tregimesh kushtuar Pejës, si dhe mbrëmje muzikore në sheshin e qytetit.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është promovimi i kulturës, traditës, historisë dhe produkteve vendore, por edhe forcimi i lidhjes mes diasporës dhe vendlindjes.
Prizreni
Prizreni është një nga qytetet më të vizituara gjatë verës. Me historinë, arkitekturën, festivalet dhe jetën kulturore, ai prej vitesh është një prej pikave kryesore për diasporën.
Megjithatë, për Muajin e Diasporës 2026, Komuna e Prizrenit ende nuk ka bërë të ditur një program konkret. Ajlin Shishko Hajdari, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, ka thënë për Albinfo se komuna është ende në fazën e përgatitjes së planit.
Në vitet e kaluara, Prizreni ka pasur aktivitete kulturore, koncerte, festivale dhe ngjarje të ndryshme për qytetarët dhe vizitorët. Por për këtë vit, ende nuk dihet se çfarë do të përfshijë programi zyrtar për diasporën.
Mitrovica dhe Gjilani
Mitrovica dhe Gjilani janë po ashtu dy qytete ku gjatë verës kthehen shumë bashkatdhetarë. Megjithatë, deri më tani këto komuna nuk kanë bërë të ditur se çfarë aktivitetesh kanë planifikuar për Muajin e Diasporës 2026.
Pavarësisht përpjekjeve të gazetarëve për të marrë një përgjigje, ende nuk ka një program të konfirmuar nga këto komuna.
Në vitet e kaluara, Mitrovica dhe Gjilani kanë organizuar aktivitete kulturore, sportive dhe rinore për qytetarët dhe diasporën. Por për këtë verë, ende mbetet e paqartë se çfarë do të ofrojnë zyrtarisht.
Një verë që i kthen njerëzit te vendlindja
Programet dallojnë nga komuna në komunë. Disa kanë përgatitur kalendar të pasur aktivitetesh, disa janë ende në proces, e disa nuk kanë dhënë informacione konkrete.
Por ajo që mbetet e përbashkët është se vera në Kosovë vazhdon të jetë koha kur diaspora kthehet më afër vendlindjes. Përmes koncerteve, panaireve, takimeve, aktiviteteve kulturore dhe vizitave familjare, korriku dhe gushti mbeten muajt kur qytetet e Kosovës marrin një jetë tjetër.
E-Diaspora
-
Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Imer Hajdari Mjeku shqiptar nga Drenica ka pasur tri ordinanca gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike në Cyrih, në Bernë... -
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën -
Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027 -
Zvicër
Vaxhid Sejdiu: Shkolla Shqipe në Zvicër mbyll vitin shkollor, nisin regjistrimet për 2026/2027 -
Kosovë
135 futbollistë e futbolliste nga diaspora morën pjesë në kampet e FFK-së
Jeta në Zvicër
-
Alarm në Zvicër: Dhjetëra kamera private sigurie transmetojnë pamje “live” në internet pa mbrojtje Një hulumtim i Radio Televizionit Zviceran (SRF) ka zbuluar se dhjetëra kamera private të sigurisë në... -
Biletat e festivaleve në Zvicër janë shtrenjtuar me mbi 40% në një dekadë -
Investimet në startup-et zvicerane bien me 15.5% në gjysmën e parë të vitit -
“Na duhet referendum për kondicionerët” – si po luftojnë zviceranët me vapën ekstreme -
Zvicra nis hetim ndaj Google























