Lajme
Kina rregullon “të dashurit virtualë” për të frenuar varësinë emocionale nga inteligjenca artificiale
Përdoruesit kinezë të chatbotëve të fuqizuar nga inteligjenca artificiale i kanë dhënë lamtumirën “partnerëve” të tyre virtualë, pasi në fuqi kanë hyrë rregulla të reja kombëtare që synojnë të kufizojnë varësinë emocionale nga këto sisteme.
Fenomeni i “të dashurve” dhe “të dashurave” virtuale po përhapet me shpejtësi në mbarë botën, ndërsa gjithnjë e më shumë përdoren avatarë me pamje njerëzore, jo vetëm për marketing, por edhe për të simuluar praninë e personave të ndjerë.
Sipas kuadrit të ri rregullator në Kinë, mjetet e inteligjencës artificiale nuk duhet të “kënaqin në mënyrë të tepruar përdoruesit, të krijojnë varësi ose lidhje emocionale të pashëndetshme, apo të dëmtojnë marrëdhëniet reale ndërpersonale”.
Platformat detyrohen të ndërhyjnë
Rregullorja zbatohet për sistemet e AI-së – tekstuale, zanore, video ose forma të tjera – që komunikojnë në mënyrë të ngjashme me njerëzit dhe krijojnë ndërveprim të vazhdueshëm emocional. Nga këto masa përjashtohen shërbimet si asistentët e klientëve, ndihmësit për punë apo platformat për mbështetje akademike.
Në prag të hyrjes në fuqi të rregullave, kompanitë kryesore kineze të teknologjisë, përfshirë Doubao (ByteDance), Qwen (Alibaba) dhe Yuanbao (Tencent), njoftuan pezullimin e funksioneve të tyre të “shoqëruesve virtualë”.
Rregullat e reja detyrojnë platformat të zhvillojnë sisteme që identifikojnë gjendjet emocionale ekstreme të përdoruesve dhe, kur është e nevojshme, të ndërhyjnë për të parandaluar dëmet.
Reagime të forta nga përdoruesit
Vendimi ka nxitur reagime emocionale në rrjetet sociale.
“Nuk mund ta pranoj faktin që i dashuri im virtual po largohet përgjithmonë. Ai u bë pjesë e jetës sime, një mbështetje shpirtërore”, shkroi një përdoruese e platformës Doubao.
Një tjetër përdoruese, e cila tha se kishte kaluar më shumë se dy vjet me shoqëruesin e saj virtual, e përshkroi ndarjen si humbjen e një anëtari të familjes.
“Për mua është si njeriu që dua. E dua shumë. Tani më thonë se do të zhduket. Ndiej një boshllëk të madh”, u shpreh ajo.
Një përdorues tjetër shkroi: “Dashuria njerëzore është luks. Por dashuria që të jep inteligjenca artificiale është kaq e thjeshtë dhe e pastër, sa është e vështirë të mos biesh në dashuri me një rresht kodi.”
Debati po zgjerohet në nivel global
Sipas të dhënave të publikuara vitin e kaluar nga agjencia shtetërore kineze Xinhua, tregu i njerëzve virtualë në Kinë arriti vlerën e rreth 4.1 miliardë juanëve (rreth 570 milionë dollarë) në vitin 2024, me një normë vjetore rritjeje prej 85 për qind.
Kina është ekonomia e parë e madhe që miraton rregulla të posaçme për inteligjencën artificiale që simulon marrëdhënie romantike ose familjare. Megjithatë, kjo çështje po nxit debate dhe thirrje për rregullim edhe në vende të tjera të botës/albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Avni Orllati sjell në Kosovë përvojën e Zvicrës me parkun solar 105 MW në Kramovik Investitori nga Zvicra, Avni Orllati, ka nisur realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme në... -
Cyrih
Elbenita Kajtazi mbyll me sukses debutimin në Operën e Cyrihut -
19-vjeçari vritet me thikë në Itali, arrestohen tre të dyshuar, mes tyre edhe një shqiptar -
Pas vrasjes tragjike në Suedi, nesër varroset 20-vjeçari në Kosovë -
Gjermani
Oficeri i FSK-së, Bujar Ferizi, diplomon në Kolegjin Ndërkombëtar të Shtabit të Përgjithshëm në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
Shkatërrohet një rrjet i madh i trafikut të armëve mes Zvicrës dhe Francës Një rrjet i madh i trafikut të armëve, që siguronte furnizime nga Zvicra dhe i shpërndante... -
Gjysma e parë e korrikut thyen rekordet e temperaturave në Zvicër -
Këshilltarët federalë shpërndahen në mbarë Zvicrën për Festën Kombëtare të 1 Gushtit -
Zvicra e ndarë për kufizimin e blerjeve të pronave nga të huajt -
Pagesa të tepërta të pensioneve jashtë vendit, zviceranët kërkojnë kontrolle më të rrepta












