Botërori 2026

Finalja e Kupës së Botës 2026 do të ketë pushim më të gjatë se 15 minuta

Pushimi i pjesës së parë në finalen e Kupës së Botës FIFA 2026 pritet të jetë më i gjatë se zakonisht. Sipas raportimeve të disa mediave ndërkombëtare, ndërprerja mes dy pjesëve të finales mund të zgjasë deri në 30 minuta për shkak të një spektakli të planifikuar muzikor.

Finalja e Botërorit do të zhvillohet të dielën në stadiumin e East Rutherford në SHBA, me fillim në orën 21:00 sipas kohës zvicerane. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht kohëzgjatja e saktë e pushimit. Disa raportime flasin për një ndërprerje prej 20 minutash, ndërsa të tjera për një maksimum prej 30 minutash.

Spektakël me yje të muzikës botërore

Shfaqja në pushimin e finales, e frymëzuar nga modeli i spektaklit të Super Bowl-it në futbollin amerikan, pritet të sjellë në skenë disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore.

Në mesin e artistëve të përfolur janë Shakira, Madonna dhe Justin Bieber, ndërsa pritet të marrin pjesë edhe grupi i njohur koreano-jugor BTS, këngëtari nigerian Burna Boy, dirigjenti venezuelian Gustavo Dudamel, grupi britanik Coldplay dhe një kor fëmijësh nga një shkollë fillore e Nju Jorkut.

Rregullat lejojnë ndryshimin vetëm me miratimin e gjyqtarit

FIFA fillimisht nuk komentoi raportimet e publikuara nga media si BBC dhe The Times. Ndërkohë, përfaqësues të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB) kanë bërë të ditur se rregullorja parashikon një pushim mes pjesëve prej maksimumi 15 minutash.

Sipas tyre, çdo ndryshim i kohëzgjatjes së këtij pushimi mund të bëhet vetëm me lejen e gjyqtarit të ndeshjes/albinfo.ch/