Shqipëri

Shqipëria mbetet zgjedhja numër një e pushuesve nga Kosova

Çmimet konkurruese, afërsia, infrastruktura dhe oferta turistike po i rikthejnë kosovarët në bregdetin shqiptar, ndërsa vetëm gjatë sezonit veror pritet të shpenzojnë rreth 195 milionë euro.

Shqipëria vazhdon të jetë destinacioni kryesor për pushimet verore të qytetarëve të Kosovës, ndërsa këtë vit vërehet një rikthim edhe më i madh i tyre drejt bregdetit shqiptar, pas një periudhe kur shumë kishin zgjedhur destinacione të tjera evropiane, përcjell albinfo.ch.

Përfaqësues të sektorit të turizmit dhe biznesit vlerësojnë se interesimi për Shqipërinë mbetet shumë i lartë, falë çmimeve të përballueshme, afërsisë gjeografike, përmirësimit të infrastrukturës dhe ofertës së pasur turistike.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, thotë se qytetarët e Kosovës përbëjnë mbi gjysmën e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror.

“Shqiptarët e Kosovës bëjnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve në Shqipëri. Pas dy viteve kur shumë qytetarë provuan destinacione të tjera pas liberalizimit të vizave, këtë vit ata janë rikthyer sërish në Shqipëri”, u shpreh ai.

Sipas Kurtishajt, zgjedhja e Shqipërisë nuk lidhet më vetëm me aspektin patriotik apo familjar, por edhe me raportin cilësi-çmim.

“Pushimet me paketë ‘All Inclusive’ në Shqipëri janë mbi 20 për qind më të lira krahasuar me Greqinë, Turqinë, Malin e Zi apo Kroacinë”, theksoi ai.

Edhe Unioni i Turizmit të Kosovës vlerëson se bregdeti shqiptar vazhdon të jetë zgjedhja kryesore e qytetarëve të Kosovës, pavarësisht mundësive më të mëdha për të udhëtuar në vende të tjera pas liberalizimit të vizave.

Ndërkohë, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, vlerëson se organizimi më i mirë i sezonit turistik dhe kontrolli më i madh i çmimeve kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e interesimit.

Ai thekson se shumë qytetarë të Kosovës tashmë kanë blerë edhe prona në Shqipëri, gjë që ka shtuar frekuencën e vizitave gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin veror.

Sipas Ahmetit, Shqipëria mbetet tërheqëse për shkak të kombinimit të çmimeve të arsyeshme, plazheve të ndryshme, ofertës së pasur të akomodimit, gastronomisë në zhvillim dhe lidhjes së lehtë rrugore me Kosovën.

Ndikimi ekonomik i pushuesve nga Kosova është gjithashtu shumë i madh. Një studim i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) vlerëson se vetëm gjatë fundjavave të sezonit turistik, nga maji deri në tetor 2026, qytetarët e Kosovës do të shpenzojnë rreth 195 milionë euro në Shqipëri.

Sipas studimit, mesatarisht rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kalojnë çdo fundjavë në bregdetin shqiptar, duke shpenzuar rreth 300 euro për person për akomodim, ushqim, transport dhe argëtim. Vetëm gjatë një fundjave, ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët kosovarë.

Edhe të dhënat e INSTAT-it konfirmojnë këtë trend. Gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026, hyrjet e shtetasve nga Kosova në Shqipëri u rritën me 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet burimi kryesor i turistëve në Shqipëri, duke përbërë rreth 34 për qind të hyrjeve totale në vend.

Fluksi i madh është reflektuar edhe në pikat kufitare. Vetëm gjatë një dite fundjave në korrik, përmes pikës kufitare të Morinës kanë hyrë në Shqipëri mbi 12 mijë qytetarë nga Kosova me rreth 2.900 automjete, duke konfirmuar edhe një herë se Shqipëria mbetet destinacioni i preferuar veror për pushuesit kosovarë. /Albinfo.ch