Kosova

Nafta bie në tregjet botërore, por jo në Kosovë

Pavarësisht rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, qytetarët në Kosovë vazhdojnë të paguajnë deri në 1\.73 euro për litër

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie të ndjeshme pas uljes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, megjithatë kjo nuk është reflektuar ende në tregun e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, çmimi i naftës ka rënë me më shumë se 9 për qind për fuçi, duke zbritur nga mbi 100 dollarë në rreth 87 dollarë për fuçi. Mediat ndërkombëtare raportojnë se ky është niveli më i ulët i çmimit që nga fillimi i muajit prill.

Ndryshe nga ky trend, në Kosovë çmimet e derivateve mbeten të larta. Sipas çmimeve maksimale të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për 28 korrik, një litër naftë tregtohet deri në 1.73 euro, ndërsa benzina kushton 1.52 euro për litër. Çmimi maksimal i gazit është 0.60 euro për litër.

Çmimi më i lartë i naftës në Kosovë gjatë muajve të fundit u regjistrua më 9 prill, kur një litër shitej deri në 1.91 euro, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Pas arritjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, tregjet ndërkombëtare reaguan me ulje të çmimit të naftës. Megjithatë, zhvillimet e fundit, përfshirë rikthimin e sulmeve dhe mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit – një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës – kanë shtuar sërish pasigurinë në tregjet energjetike, duke ndikuar në luhatjen e çmimeve./Albinfo.ch.