Lajme

Gjeneva përballet me mungesën më të madhe të banesave në 15 vitet e fundit

Numri i banesave të lira ka rënë nën 800, ndërsa norma e zbrazëtisë ka zbritur në nivelin më të ulët që nga viti 2011.

Kriza e banesave në kantonin e Gjenevës është thelluar edhe më tej, duke arritur nivelin më të rëndë në 15 vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave më të fundit, aktualisht në Gjenevë ka më pak se 800 banesa të lira, ndërsa norma e banesave të pabanuara ka rënë në vetëm 0.31 për qind, niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 2011.

Më 1 qershor të këtij viti ishin të lira vetëm 793 prona banimi, krahasuar me 858 një vit më parë, çka tregon përkeqësimin e mëtejshëm të mungesës së banesave.

Situata është veçanërisht kritike në disa komuna të kantonit. Norma e banesave të lira është vetëm 0.12 për qind në Lancy, 0.14 për qind në Onex, 0.18 për qind në Thônex, 0.20 për qind në Meyrin, 0.25 për qind në Carouge dhe 0.29 për qind në Vernier.

Këto shifra konfirmojnë se tregu i banesave në Gjenevë vazhdon të përballet me mungesë të theksuar ofertash, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e një banese për banorët e kantonit. /Albinfo.ch