Kosova

Dy të dyshuar për krime lufte arrestohen në Kosovë, pasojnë reagimet nga Serbia

Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile. Arrestimet kanë nxitur reagime të menjëhershme nga autoritetet serbe dhe Lista Serbe

Dy persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së viteve 1998–1999. Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe se ndaj tyre kanë nisur procedurat hetimore, ndërsa nuk janë bërë publike më shumë detaje për rastin, përcjell albinfo.ch.

Sipas Prokurorisë Speciale, hetimet lidhen me dyshime për përfshirje në krime lufte ndaj popullatës civile. Mediat në Kosovë kanë raportuar se bëhet fjalë për dy persona të identifikuar me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët u arrestuan në veri të vendit.

Arrestimet kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në Serbi. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi ato si veprime me motive politike, ndërsa Lista Serbe pretendoi se bëhet fjalë për presion ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe kërkoi lirimin e të arrestuarve.

Nga ana tjetër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se procedurat po zhvillohen në përputhje me ligjin dhe se hetimet për krimet e luftës do të vazhdojnë pavarësisht përkatësisë etnike të të dyshuarve. Rasti pritet të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë në ditët në vijim.