Integrimi

A mund të dëbohet nga Zvicra një person që ka jetuar disa dekada në këtë shtet?

Bazën ligjore të masës së dëbimit e gjejmë posaçërisht në Kodin Penal Zviceran (neni 63a). Kjo dispozitë përmban një listë të gjerë të shkeljeve ligjore të cilat i hapin rrugën një gjykate që t’a shqiptojë dëbimin

Nëse dëgjohet se ndodhin raste që dëbimi nga territori zviceran shqiptohet nganjëherë edhe ndaj një individi që ka kaluar dekada të tëra në këtë shtet, asgjë nuk ka të befasishme nga e gjithë kjo!

Bazën ligjore të masës së dëbimit e gjejmë posaçërisht në Kodin Penal Zviceran (neni 63a). Kjo dispozitë përmban një listë të gjerë të shkeljeve ligjore të cilat i hapin rrugën një gjykate që ta shqiptojë dëbimin.

Dispozita në fjalë, së paku në shikim të parë, duket vërtet e ashpër, pasi që aty thuhet se masa e dëbimit do të shqiptohet detyrimisht, pa marrë parasysh lartësinë e dënimit, nëse bëhet njëra nga shkeljet e përfshira në një “listë” të nenit të përmendur.

Kuptohet se aty ceken veprat e rënda penale, siç janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, trafiku me lëndë narkotike, vjedhjet e rënda, keqpërdorimet e rënda në lëmin e sigurimeve shoqërore ose në ndihmat sociale, trafiku me qenie njerëzore, dhunimet, pjesëmarrja në organizata kriminale, ….por edhe disa dhjetëra vepra të cilat i takojnë natyrisht regjistrit të veprave të rënda …

Mirëpo, një paragraf i po të njëjtit nen e relativizon disi ashpërsinë e kësaj rregulle, duke precizuar se masa e dëbimit mundet të mos shqiptohet, në qoftë se i huaji, si pasojë e kësaj mase, do të vihet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë personale dhe nëse interesi publik nuk do të ishte i një niveli më të lartë se sa interesi personal i të huajit që të vazhdojë të qëndrojë në Zvicër.

Analizohen pra paralelisht dy aspekte të rëndësishme: interesi publik (apo i shtetit) dhe situata personale e individit që i kanoset dëbimi. Një definim ky i mirëfilltë juridik, por edhe kompleks, i cili hapë një fushë të gjerë interpretimi për atë se çka nënkupton realisht e gjithë kjo!

Vështirë të gjendet një praktikë uniforme e marrjes së vendimeve në këtë lëm. Megjithatë, ajo që vërehet në praktikat e sotme gjyqësore të kantoneve të ndryshme, dëshmon se dispozita përkatëse iu akordon një fushë të lirë veprimi gjykatësve që ta shqiptojnë apo jo masën e dëbimit.

Kjo nënkupton se në kuadër të shqyrtimit të rasteve dhe lëndëve, nëse një gjykatës merr vendimin e dëbimit, kjo nuk domethënë se vlen për ndonjë gjykatës tjetër i cili ndoshta do të tregojë një qëndrim sadopak më të butë për një rast të ngjashëm. Kurse, edhe në kantonet e ndryshme zvicerane, në sistemet e tyre gjyqësore, ekzistojnë kantone që tregohen më të ashpra se sa disa të tjera.

Për sa i përket analizës së përgjithshme të një rasti, përveç veprës së kryer penale, faktorët tjerë më të rëndësishëm që analizohen dhe që çojnë peshë në atë se a do të shqiptohet apo jo dëbimi janë posaçërisht këto si vijojnë: gjendja familjare e personit (i martuar apo jo, a ka fëmijë të mitur, etj.), lidhshmëria e tij me Zvicrën, e ndërkohë edhe raporti me vendin e origjinës (ku shtrohet edhe pyetja se sa janë gjasat për ri-integrim në vendin e tij).

Shqyrtohen edhe aspektet mbi integrimin profesional në shoqërinë zvicerane; duke e analizuar posaçërisht atë se, personi që rrezikon dëbimin, a ka punuar rregullisht dhe se a është varur brenda një kohe të gjatë nga ndihmat sociale, por edhe ajo se a i ka borxhe shtetit dhe se a kryer në të kaluarën vepra të tjera penale të ngjashme, a është pra recidivist.

Duhet pasur në dijeni edhe atë se një person që vjen nga shtetet jashtë Bashkimit Evropian (siç janë edhe vendet tona ballkanike) rrezikon më lehtë dëbimin se sa të tjerët (bartësit e pasaportës evropiane). Kjo sqarohet posaçërisht me faktin se ndaj kësaj kategorie të huajve aplikohet edhe Ligji për të huaj dhe integrim i cili, vetëm ai si i tillë, mund të mjaftojë nganjëherë që të shqiptohet masa e dëbimit. Rikujtojmë se ky ligj nuk aplikohet për shtetasit që vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Lirim Begzati, ekspert i çështjeve juridike, Neuchâtel, Zvicër