Kuriozitete

A rrezikohen të dhënat personale nga Threads?

Teksa platforma e re sociale Threads po thyen rekorde, shqetësimi i ekspertëve për sigurinë e të dhënave personale të përdoruesve të saj, rritet.

Meta e ka lënë aktualisht pezull lancimin e platformës në BE për shkak se mbetet ende e paqartë nëse mënyra sesi kompania e Mark Zuckerberg i menaxhon të dhënat sensitive të përdoruesve është në linjë me ligjet e Unionit.

Threads e bën të qartë që aplikacioni mund të mbledhë të dhëna sensitive, si kontaktet, vendndodhjen historinë e kërkimeve në internet, shfletuesit që përdorni në internet, të dhëna shëndetësore, informacione nga GPS, e të tjera.

Por sipas Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ligjit aktual të BE, Meta duhet te marrë leje për përdorimin e të dhënave dhe duhet të vërtetojë që trajton ato në mënyrë etike.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Erion Demiri thotë për A2 CNN se mund të duhet kohë, por edhe përditësim i politikave të privatësisë së Meta-s, derisa Threads të jetë i disponueshëm në BE.

“Modeli i biznesit i Meta-s, duke përfshirë dhe Instagram dhe Threads, bazohet në gjenerimin e të ardhurave nga reklamimet, kryesisht atyre të targetuara në mënyrë të personalizuar për përdoruesit. Personalizimi i këtyre reklamave bëhet nëpërmjet të dhënave sensitive që aplikacionet e Meta-s mbledhin nga përdoruesit…Për shembull, Google Bard që u bë i disponueshëm së fundmi në BE, bashkëpunoi me BE-në për të përditësuar politikat e privatësisë së të dhënave,” shpjegon ai.

Kurse, për Stavro Xhardhën inxhinier aplikacionesh që jeton në Gjermani, problemi më i madh në këtë çështje është përpunimi i të dhënave nga palë të treta.

“BE nuk do një përsëritje të Cambridge Analytica,” thotë ai teksa shton se një tjetër problem është dështimi i Instagramit për të mbrojtur të dhënat e fëmijëve duke bërë që në platformë të krijohej një rrjet pedofilësh.

Ka një listë arsyesh që ushqen shqetësimet e ekspertëve si Demiri apo Xhardha dhe ndër më kryesorët është reputacioni jo i mirë i Meta-s në menaxhimin e të dhënave sensitive.

“Kompania mëmë e Instagram-it, është gjobitur me rreth 400 milionë euro në fillim te vitit, dhe me 1.3 miliardë euro para pak javësh, për shkak të politikave të privatësisë nga GDPR.”

Ashtu si platformat e tjera të Meta-s, Threads mund të mbledhë aktualisht dhe do të mbledhë një sasi të madhe të dhënash nga përdoruesit, sipas ekspertëve.

Deri më tani, në këtë platformë nuk shfaqen reklama, dhe CEO i Instagram-it, Adam Mosseri ka premtuar së në Threads nuk do të promovohet “hard news” apo përmbajtje politike, një mjedis ky që gjendet jo vetëm në Facebook dhe Instagram, por edhe në atë që po konsiderohet si rivali kryesor i Threads, Twitter.

Por, për nëse për reklamat është thjesht çështje kohë, sesa do t’i shpëtojë kjo platformë diskurseve me ngjyrimeve politike dhe “hard news-it”, mbetet për t’u parë.

“Unë personalisht nuk besoj në ambiente ‘soft’ në rrjetet sociale pasi ato në karakterin e tyre nxisin individualizmin dhe garën. Për mua ky është thjesht një truk për të marrë sa më shumë përdorues nga Twitter nga ata të cilët nuk pajtohen me konceptin e Musk për fjalën e lirë’’, shprehet Xhardha.

Stavro Xhardha, inxhiner aplikacionesh, Gjermani

Megjithatë, përpos asaj që premtohet, përdoruesit kanë nisur të shfaqin pakënaqësitë e para. Ata thonë se deri më tani, kjo media sociale është e tejmbushur me influencues dhe njerëz që ata nuk i njohin.

Threads është vendi ku komunitetet bëhen bashkë për të diskutuar gjithçka, nga tema që mund të të interesojnë sot tek ato që mund të jenë trending news. Në çfarëdo që të jesh i interesuar, mund të ndjekësh dhe të lidhesh direkt me krijuesit e t’u të preferuar dhe të tjerë që pëlqejnë të njëjtat gjëra, ose të ndërtosh një sërë ndjekësish të tu besnik me të cilët mund të ndash ide, opinione dhe kreativitet me botën

Threads në App dhe Google Play Store.

Sipas ekspertëve, platforma ka një algoritëm të “kuruar”, njëlloj si Facebook dhe Instagram. Kjo do të thotë se në momentin që hap aplikacionin, do të shohësh një mori postimesh bazuar në interesat e tua, por jo sipas një rendi kronologjik. Baza është teksti, por mund të tregoni kreativë dhe të shtoni elementë të tjerë të multimedias, numri i lejuar i karaktereve është 500 dhe për momentin mund të aksesohet vetëm nga celulari.

Mesazhe direkt platforma aktualisht nuk ka, por gjasat janë që të shtohen si opsion me kalimin e kohës.

Por, duke u kthyer te çështja e vjeljes së të dhënave personale, ndaj çfarë mund të jetë i ekspozuar një përdorues shqiptar që e ka shkarkuar aplikacionin, ndryshe nga një qytetar i vendeve të BE-së që ende nuk mund ta akesojë?

Erion Demiri thotë se në Shqipëri, ligjet nuk janë aq të rrepta në kërkesat ndaj mediave sociale.

“Përdoruesit shqiptarë, duke përdorur Threads, ndajnë informacionet me Meta-n, duke qenë të rrezikuar nga përdorimi i këtyre të dhënave në trajnimin e AI të palëve të ndryshme, dhe hartimin e reklamave të personalizuara për të manipuluar perceptimin e konsumatorëve mbi çështje apo produkte të ndryshme.”

Sipas tij, me instalimin e Threads, konsumatorët pranojnë të ndajnë të dhëna që mund t’i dëmtojnë ata në të ardhmen.

“Për shembull, duke ditur që një përdorues ka probleme shëndetësore, me shumë gjasa të njëjtin përdorues do t’i shfaqet një reklamë që promovon një medikament për atë problem shëndetësor.”

Demiri shprehet se qeveria shqiptare mund t’i përshtatë rregulloret dhe ligjet me ato të BE-së, për t’u siguruar që kompanitë e mëdha teknologjike të jenë përgjegjëse nëse ndajnë apo keqpërdorin të dhëna sensitive të përdoruesve.

Të menaxhuara në mënyrë etike apo jo, sasia e të dhënave që platformat e Meta-s mbledhin nga përdoruesit është e mjaftueshme për të krijuar një “hartë” të detajuar të jetës së përdoruesve të saj dhe kjo është kostoja që paguajmë për produktet që marrim falas.

“Nëse nuk po paguan për produktin, produkti je ti.”

Historikun e blerjeve online

Të dhëna të tjera financiare

Informacion mbi vendndodhjen i siguruar nga GPS

Infomracion mbi vendndodhjen i siguruar nga antenat WiFi dhe ato celulare

Adresa fizike

Adresa email-it

Emri

Numri i telefonit

Kontakte të tjera të përdoruesve

Foto/Video

Të dhëna rreth lojërave që luani

Historiku i kërkimit në internet

Historiku në shfletues

ID i përdoruesit

ID e pajisjes

Të dhëna rreth përdorimit të internetit

Të dhëna rreth reklamimit

Të dhëna rreth crash-eve të faqeve

Të dhëna rreth performancës së pajisjes

Të dhëna rreth shëndetit dhe fitensit

Të dhëna sensitive (të paspecifikuara)

Të dhëna personale të përdoruesit që Threads mbledh dhe përdor