Lifestyle

Afrikani me flamur shqiptar, “kall” atmosferën në klubet e Kosovës

Dokumentari i SRF merret gjerësisht me profilin e këtij këngëtari, me emrin artistik "Cliqme", mënyrën e depërtimit të tij në tregun muzikor në Kosovë etj.

Televizioni publik i Zvicrës, SRF, në emisionin e tij “Reporter” ka dhënë mbrëmë dokumentarin për fenomenin interesant të një afrikani që po ndërton një karrierë të suksesshme në rap skenën kosovare.

Dokumentari merret gjerësisht me profilin e këtij këngëtari, me emrin artistik “Cliqme”, mënyrën e depërtimit të tij në tregun muzikor në Kosovë, rrethin e miqve të tij shqiptarë atje etj. Gazetari merr edhe opinionet e reperëve të tjerë shqiptarë nga Kosova, të cilët flasin me simpati për afrikanin që këndon dhe flet shqip, shkruan albinfo.ch. Njësoj, pozitivisht për të flasin edhe të rinjtë që kanë ardhur në një diskotekë të Prishtinës për ta parë idhullin e tyre. Ndërsa ai nuk kursehet me shprehje e fraza në gjuhën shqipe, me valimin e flamurit shqiptar etj… E gjithë kjo e bën afrikanin e ri një figurë interesante dhe të pëlqyer në Kosovë.

I lindur në Kongo dhe  rritur në Wittigkofen (Bernë), Gassaan Nyangi, siç quhet në të vërtetë reperi afro 2 metra i gjatë, ka plotësuar dëshirën e tij fëmijërore. Ai ka gjetur veten nën dritën e reflektorëve, po udhëton nëpër Evropë, bën spektakle para mijëra fansëve të tij. Por, cv-ja e tij është megjithatë e pazakonshme: duke qenë një artist nga kryeqyteti i Zvicrës, Cliqme bëhet një reper i madh shqiptar dhe me shfaqjet e tij i mbush plot tashmë klube të tëra, transmeton albinfo.ch.

Emisioni prezanton edhe familjen e këngëtarit, në Zvicër. Babai i tij, i ikur para 30 vjetësh nga Kongoja, punon si mësues autoshkolle, i pari nga Kongoja në Zvicër. Ai thotë se gjatë gjithë kohës sa jeton në Zvicër, ka punuar dhe nuk ka qenë kurrë barrë e shtetit. Ndërsa vetë Gassaan Nyangi, para se të niste aventurën kosovare, ka bërë punën e këshilltarit të sigurimeve.

Bernasi 29-vjeçar është veç kësaj talent për mësimin e gjuhëve. Krahas gjermanishtes, frengjishtes, gjuhës Lingala (afrikane) dhe anglishtes, ai flet dhe bën rep tashmë edhe në gjuhën shqipe. Ai njihet në Ballkan dhe para së gjithash në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ka marrë pjesë në shumë emisione shqiptare të spektaklit, është intervistuar në gjuhën shqipe dhe tash synon të stabilizohet në skenën muzikore shqiptare.

Nën videot e tij muzikore gjithnjë bëhen komente të shumta. Shumë fansa të tij mezi besojnë se një kongolez nga Zvicra këndon rep në gjuhën e tyre dhe prandaj e përgëzojnë dhe brohorasin për të.

Por si ka mundur të arrijë deri në këtë pikë qytetari i Bernës? Cliqme ka rënë në sy qëmoti me natyrën e tij energjike. Që në vitin 2012 ai është prezantuar në pjesët “paralojë” të koncerteve të të famshmëve, përcjell albinfo.ch. E ka “ngrohur” publikun për koncertet e Wiz Khalifa ose të Cris Brown.