E-Diaspora

Agron Bajrami, artisti që la gjurmë të pashlyera në shpirtin e diasporës shqiptare

Agron Bajrami la pas vetes një vepër artistike që do t`i qëndrojë kohës. Ai ka mbjellë te qindra fëmijë dhe të rinj shqiptarë të mërgatës në Zvicër e më gjerë farën e dashurisë për kulturën dhe traditat e të parëve,

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të koreografit, artistit të shumanshëm dhe veprimtarit Agron Bajrami, Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” ka organizuar në Neuenhof (AG) të shtunën, më 4 maj një mbrëmje përkujtimore për themeluesin dhe drejtuesin e saj.

Në këtë aktivitet kishin ardhur shumë shokë e miq të Agronit, nxënës dhe ish nxënës, tashmë të rritur, të shkollës së tij si dhe dashamirës e njohës të tjerë të veprës së artistit të ndjerë. Të gjithë së bashku i bënë kështu një nderim jetës dhe krijimtarisë së Agron Bajramit, i cili iku i ri nga kjo jetë.

Ashtu siç u theksua në fjalët e miqve dhe njohësve të tij të shumtë në këtë mbrëmje, Agron Bajrami la pas vetes një vepër artistike që do t`i qëndrojë kohës. Ai ka mbjellë te qindra fëmijë dhe të rinj shqiptarë të mërgatës në Zvicër e më gjerë farën e dashurisë për kulturën dhe traditat e të parëve, shkruan albinfo.ch. Edhe vetë kjo mbrëmje, në pjesën e saj artistike, ishte një tregues i saktë për gjurmët që Agron Bajrami i ka lënë gjatë mbi 25 vjetëve të punës së tij si koreograf.

Veç në koreografi, që ishte pikërëndesa kryesore e tij, Agron Bajrami praninë e tij me peshë në komunitetin shqiptar e ka dëshmuar edhe me veprimtarinë e tij të dendur politike e shoqërore dhe sidomos me angazhimin konkret në luftë, si pjesëtar i UÇK-së. Po kështu, Agroni ka lënë gjurmë edhe me punën e tij si në artet pamore, në teknikën e rrallë të piktografisë. Punimet e tij nga kjo fushë i ka prezantuar në një numër ekspozitash personale dhe kolektive, shkruan albinfo.ch. Ndërsa si mjeshtër i montazhit dhe kameraman, ka punuar për disa vite në një televizion zviceran.

Një numër i madh miqsh të Agron Bajramit dhe veprimtarësh të diasporës shqiptare kanë folur fjalë të zgjedhura për artistin dhe veprimtarin e ndjerë, duke çmuar lartë vlerat e tij dhe duke evokuar kujtime nga jeta dhe veprimtaria e tyre e përbashkët.

Veprimtari Ibish Neziri ka lexuar një biografi të Agron Bajramit, ku ka përfshirë gjithë aktivitetin e tij nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Sigurisht, ai është fokusuar më shumë në punën e madhe që Agroni ka bërë me themelimin dhe drejtimin 25 vjeçar të Shkollës së Vallëzimit “Shota” me seli në Aarau.

Një evokim mjaft mbresëlënës për jetën e Agron Bajramit e ka ndarë me të pranishmit edhe veprimtarja zvicerane dhe mikja e shqiptarëve, Regula Bachmann. Ajo ka treguar se si në fillim të viteve të nëntëdhjeta është njohur me koreografin tashmë të ndjerë, në kuadrin e aktiviteteve kulturore të përbashkëta në Lenzburg të Aargaut, shkruan albinfo.ch. Zonja Bachmann ka folur për informacionet e gjithanshme që ajo i ka marrë për kulturën e traditën shqiptare pikërisht nga Agroni. Ajo po ashtu ka evokuar edhe kujtime nga ditët e fundit të jetës të Agron Bajramit, i cili edhe në gjendjen e rëndë që po kalonte, nuk pushonte të fliste me entuziazëm për kulturën të cilës i takonte.

Fjalë me kujtime spontane në këtë aktivitet shpalosën, secili nga këndi i tij i njohjes me Agronin edhe: Mustafë Xhemajli, ministër këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, njëherësh dhëndërr i të ndjerit, pastaj veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptar të Zvicrës si: Fatmir Salihu, Osman Osmani, Shefqet Cakolli, artisti Gani Bytyçi, gazetari Rexhep Rifati, artistët dhe valltarët, kolegë të të ndjerit Fatmire Kjajtazi dhe Sherif Dakaj etj.

Në përmbyllje, me një fjalë falënderimi, të pranishmëve u është drejtuar edhe bashkudhëtarja dhe bashkëshortja e Agron Bajramit, e cila tash drejton Shkollën Shqiptare të Vallëzimit “Shota”, Lirije Bajrami. Ajo veç tjerash ka thënë se puna e filluar bashkë me Agronin do të vazhdojë edhe më tutje, duke ndjekur vizionin e themeluesit të saj, shkruan albinfo.ch. Po ashtu edhe emri i shkollës tash plotësohet edhe me emrin e themeluesit të saj, Agron Bajramit, ka theksuar Lirije Bajrami.

Gjatë gjithë mbrëmjes përkujtimore, në mes të fjalimeve dhe evokimeve janë vendosur pika muzikore, valle dhe këngë nga Shkolla Shqiptare e vallëzimit “Shota” si dhe nga SHKA “Dardania” e Winterthurit. Ndërsa grupi i rapsodëve të kësaj të fundit ka kënduar një këngë kushtuar pikërisht Agron Bajrami, shkruan albinfo.ch. Po ashtu një këngë për Agron Bajramin e ka kënduar edhe rapsodi Isuf Rashiti ndërsa e bija e Agronit, Shqipja ka kënduar një këngë prekëse në gjuhën angleze “hurt” (e lënduar) të përcjellë me pamje të xhiruara nga jeta e përditshme e saj me të atin, që projektoheshin në ekran.

Në pamundësi për të qenë të pranishëm në këtë eveniment, me letra përshëndetjeje janë drejtuar artistë e studiues të ndryshëm, miq dhe njohës të Agron Bajramit nga Kosova, Zvicra dhe nga Shqipëria, si: Artisti Llesh Nikolla, studiuesi i folklorit Zymber Neziri, ish drejtuesi i Misionit Katolik Shqiptar në Aarau, Don Mikel Sopi, koreografi Haki Mulliqi dhe kineasti Milazim Salihu.

(Autor i fotografive: Beqë Miftari)