Kosova

AKR me 2 deputetë, nga 6 deputetë të koalicionit NISMA-AKR-PD

Gjashtë deputet do t’i takojnë koalicionit NISMA-AKR-PD pas vendimit të PZAP-së për votat e ardhura nga Serbia. Koalicioni me kandidat për kryeministër Fatmir Limaj do t’i sigurojë gjashtë ulëse në rast se ky vendim nuk do të kontestohet në Gjykatën Supreme.

Fatmir Limaj, kreu i Nismës e kandidati për kryeminstër, ka marrë 26.014 vota, derisa partneri i tij në koalicion, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, radhitet i dyti me 10.525 vota.

Si i treti më i votuari ka dalë Endrit Shala, që ka marrë 6.819 vota. Pas tij radhitet Haxhi Shala me 6.643 vota.

Kuota gjinore u ka siguruar ulëse edhe dy grave nga ky koalicion.

Mirlinda Sopi-Krasniqi ka dalë si gruaja më e votuar me gjithsej 4.079 vota, e pas saj radhitet Albulena Balaj-Halimaj me 4.047 vota, shkruan GE, përcjell albinfo.ch.

Rrjedhimisht, AKR do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me dy deputetë, derisa katër do t’i ketë Nisma Socialdemokrate.

Jashtë Kuvendit ndërkaq kanë mbetur disa nga ish-deputetët, përfshirë këtu shefin e grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifin, 4.275 vota.

Hyrja në Kuvend e Nismës Socialdemokrate do të ndikojë edhe në numrin e deputetëve që pas rezultateve përfundimtare u tha se do t’i marrin partitë e tjera politike.

Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre deputetë më pak, LDK-ja një deputet më pak. Nga një deputet më pak do ta kenë edhe PDK-ja e koalicioni AAK-PSD.