Lajme

Alarmohet Zvicra: Dy nxënës janë infektuar me tuberkuloz

Kjo sëmundje mund të trajtohet me antibiotikë, por, nëse mbetet e patrajtuar brenda disa muajve, ajo shpesh përfundon me vdekje

Tuberkulozi perceptohet  si sëmundje e shekujve të shkuar dhe falë përparimit të mjekësisë, e tejkaluar tashmë sa kohë. Por, kjo sëmundje ngjitëse vazhdon të paraqitet herë pas here, madje edhe në vende të zhvilluara e të përparuara si Zvicra, shkruan albinfo.ch

Rasti më i ri është regjistruar ditëve të fundit dhe për të është alarmuar popullata sot, përmes mediave.

Në Kantonin Aargau janë identifikuar një nxënëse dhe një nxënës me virus të tuberkulozit. Bëhet fjalë për dy nxënës të dy shkollave të ndryshme, në Suhr  dhe në Wynental të këtij kantoni, shkruan srf.ch. Duke qenë se kjo sëmundje karakterizohet nga një rrezikshmëri e lartë e infektimit, shkolla ku është gjetur nxënësja e infektuar ka paralajmëruar prindërit se më 24 tetor të gjithë nxënësve do tu bëhet një test i gjakut.

Rreth 550 njerëz infektohen brenda vitit në Zvicër nga tuberkulozi. Kjo sëmundje mund të trajtohet me antibiotikë, transmeton albinfo.ch. Por, nëse mbetet e patrajtuar brenda disa muajve, ajo shpesh përfundon me vdekje.

Simptomat tipikë të tuberkulozit janë kollitja, shpesh me të pështyra, temperatura dhe humbja e peshës. Infektimi nga kjo sëmundje mund të konstatohet jo më shpejt se dy muaj pasi të ketë nodhur. Më të rrezikuarit nga tuberkulozi janë fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar.