Kosova

Ambasada Gjermane: Bojkoti s’është në interes të qytetarëve në veri

Së fundmi, Ambasada e Gjermanisë në Kosovës ka vlerësuar se bojkoti i procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri nuk është në interes të qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Ambasada ka vlerësuar se natyra demokratike e procesit do të dëmtohet nëse qytetarët do t’i ndjekin thirrjet e Listës Serbe për bojkot.

“Nëse qytetarët në komunat veriore do të ndiqnin thirrjen për bojkot, kjo do të dëmtonte natyrën demokratike të procesit dhe do të zgjaste situatën aktuale, në të cilën kryetarët në detyrë nuk pasqyrojnë shumicën dërrmuese të elektoratit. Kjo nuk mund të jetë në interes të qytetarëve vendas”, ka thënë Christian Bottcher, zyrtar për media dhe komunikim në Ambasadë.

Ambasada Gjermane u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në komunat veriore që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar më 21 prill.

“Kjo nuk ka të bëjë me votimin për një parti apo një person, por për të shprehur vullnetin e tyre nëse duan apo jo një tjetër kryetar komune. Ne gjithashtu vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë që të inkurajojnë qytetarët të votojnë. Të jesh në gjendje të votosh dhe të ushtrosh të drejtën tënde është thelbi i demokracisë. Gjermania dhe vende të tjera kanë mbështetur plotësisht kërkesat që të krijohet procedura për shkarkim të kryetarëve të komunave. Por, tani u takon qytetarëve të shfrytëzojnë procedurën ekzistuese”, ka theksuar Bottcher.

Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënën.

Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri që të mos marrin pjesë në votimin për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri.