Kosova

Ambasadorët e Quintit, në vizitë te kryeministri Kurti

Në këtë takim mësohet se u diskutua për zhvillimet e fundit në vend

Në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sot kanë shkuar për vizitë ambasadorët e vendeve të Quintit, të shoqëruar nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në këtë takim mësohet se u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, raporton Albinfo.ch.

Në takim ishte i ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadori i Britanisë, Nicholas Abbott, zëvendësambasadori i Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu dhe përfaqësuesi i posaçëm i shefit të Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për punën dhe vendimet e Qeverisë në përmbushje të prioriteteve të programit qeverisës. Për masat e fundit kundër pandemisë COVID-19 që i përgjigjen situatës pandemike dhe monitorimin e vazhdueshëm që institucionet shëndetësore po i bëjnë variantit Omicron dhe për procesin e vaksinimit, si mënyra më efikase për t’u mbrojtur nga virusi dhe variantet e tij. Kryeministri po ashtu foli për përkushtimin e Qeverisë për reformat në vend dhe integrimin evropian dhe euro-atlantik të vendit dhe rëndësinë që bashkëpunimi me shtetet e QUINT-it ka në arritjen e këtyre synimeve. Ai falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme që si shtete partnere dhe mike i kanë ofruar shtetit dhe popullit të Kosovës”, njofton Zyra e kryeministrit.

Po ashtu, u bë e ditur se gjatë këtij takimi u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për vazhdimin e shfrytëzimit të ndërtesës në të cilën janë të vendosura zyrat e Bashkimit Evropian në Kosovë. ​