Lajme

Arbër Bullakaj betohet si deputet në Parlamentin Federal të Zvicrës

Në deklaratën e tij ai tha se nga tani do të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Zvicrës, “veçanërisht ata zërat e të cilëve shpesh nuk dëgjohen”

Sot është zhvilluar ceremonia e betimit të Arbër Bullakajt si anëtar i Këshillit Kombëtar të Zvicrës (deputet në Parlamentin e Zvicrës, Dhoma Nacionale), ku ai mori zyrtarisht detyrën e tij të re.

Bullakaj është deputeti i dytë me rrënjë shqiptare, pas Islam Alijajt, të zgjedhur në vitin 2023. Të dytë janë deputetë të Partisë Socialdemokrate (SP).

Arbër Bullakaj ka marrë këtë post pas tërheqjes së deputetes së deritashme, Klaudia Friedl, pasi, në zgjedhjet e tetorit 2023 ai ishte në vendin e parë të listës pritëse.

Gjatë betimit, Bullakaj theksoi këtë moment si të rëndësishëm dhe emocional në karrierën e tij politike.

Në deklaratën e tij pas betimit, ai tha se nga tani do të përfaqësojë jo vetëm Kantonin e St. Gallenit, por të gjithë qytetarët e Zvicrës, “veçanërisht ata zërat e të cilëve shpesh nuk dëgjohen”, transmeton albinfo.ch.

Ai falënderoi familjen, ekipin e fushatës, strukturat e Partisë Socialdemokrate në St. Gallen dhe votuesit për besimin e dhënë.

Bullakaj theksoi gjithashtu prioritetet e tij politike në mandatin e ri, duke përfshirë: forcimin e demokracisë dhe të drejtave qytetare për të gjithë banorët, një politikë të jashtme të qëndrueshme dhe bashkëpunuese me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe avancimin e digjitalizimit si motor i inovacionit dhe zhvillimit shoqëror.

Ai shtoi se këto fusha janë të ndërlidhura dhe thelbësore për një Zvicër më solidare dhe të orientuar drejt së ardhmes.