Kosova

Arrestohen në Serbi drejtori i Administratës në Leposaviq dhe e fejuara e tij

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se djali i zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, njëherësh drejtor i Administratës në Komunën e Leposaviqit, është arrestuar në Serbi.

“Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit, njëherësh djali i zëvendësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Nikolla Radimiroviq, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë”, ka shkruar ai.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Sveçla thotë se Radimiroviq bashkë me të fejuarën po mbahen të arrestuar vetëm për arsye se kanë pranuar të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërsa sipas tij, ky është gjest hakmarrje i Serbisë pse dje nuk arriti të ndalojë vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare, shkruan albinfo.ch.

“Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosovës të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030”, ka shkruar ai.

Ministri Sveçla ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve dhe ndalimin e presionit të mëtejmë për ata që janë besnik ndaj institucioneve të Kosovës.

“Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe, të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Sveçla.