Shqiperia

Asnjë rast me variantin Delta në Shqipëri

 Instituti i Shëndetit Publik, në një njoftimi të posaçëm për mediat informon se në vend nuk ka asnjë rast të dyshuar me variantin Delta të koronavirusit.

Theksohet nga ISHP se numri i testimeve është shumë i lartë, por ende nuk ka asnjë sinjal për prezencën e këtij varianti.

Për çdo rast të dyshuar, do të bashkëpunojë me institucionet e referencës.

“Instituti i Shëndetit Publik informon se deri tani në Shqipëri nuk është identifikuar asnjë rast i variantit Delta. Pavarësisht numrit të lartë të testimeve, nuk kemi sinjale për prezencën e këtij varianti në vendin tonë.

Instituti i Shëndetit Publik po monitoron me kujdes situatën e epidemisë së COVID19 në vend dhe për çdo rast të dyshuar, do të bashkëpunojë me institucionet e referencës, gjë e cila është pjesë e praktikës së punës së këtij institucioni“, shkruhet në reagimin e ISHP-së.

Objektivi për të vaksinuar 1 milion qytetarë në vend është arritur një ditë më parë.

Kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetin social theksoi se s’do të ndalen derisa të vaksinohet edhe qytetari i fundit në vend.

Që nga fillimi i pandemisë janë kryer 821,526 testime në total në vendin tonë, ku kanë rezultuar pozitivë 132,544 qytetarë.

Deri më tani janë shëruar 130,033 të prekur me COVID dhe kanë ndërruar jetë 2,456.

Aktualisht janë 55 raste aktive dhe në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 3 pacientë.