Integrimi

Avdili: Zgjedhjet, pasurim i jashtëzakonshëm i përvojës sime

"Nga këto zgjedhje unë arrita të mësoj më shumë dhe tani ndjehem edhe më i përgatitur për rrugëtimin tim politik”, thotë Përparim Avdili

Të dielën që shkoi, në Kantonin e Cyrihut u mbajtën zgjedhjet për parlamentin dhe për ekzekutivin e kantonit. Siç kemi shkruar tashmë, asnjëri nga pesë kandidatët me prejardhje shqiptare nuk arriti të siguronte vend në parlament. Megjithatë, të gjithë ata kanë fituar një numër të konsiderueshëm votash dhe disa prej tyre janë të parët në listë pas kandidatit të zgjedhur. Njëri prej tyre është edhe Përparim Avdili, kandidat i FDP-së.

albinfo.ch ka mbuluar fushatën e Avdilit që nga fillimi. Tash, pas përfundimit të e zgjedhjeve, Përparim Avdili flet lidhur me rrjedhën e zgjedhjeve, pritjet dhe arritjet e tyre etj.

albinfo.ch: Si e shpjegoni rezultatin e arritur në zgjedhjet e 12 prillit? Keni pasur mbështetje të madhe, të proklamuar kryesisht nga shqiptarët. Por kjo duket se nuk mjaftoi. Ku mendoni se ka ngecur puna?

Përparim Avdili: Rezultati i kandidaturës time është shumë i mirë – i nisur nga vendi i pestë në listë, dhe në bashkërenditje me disa eksponentë të njohur dhe me shumë përvojë brenda partisë, arrita që të zë vendin e tretë përfundimtar. Suksesi i rezultatit shpjegohet me mbështetjen e madhe të shqiptarëve dhe votat e drejtpërdrejta të tyre, këtu nuk ka pikë dyshimi. Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që ma besuan votën, dhe në veçanti shqiptarët që më dhanë një besim të madh për kandidaturën time. Natyrisht që kam marrë dhe shumë vota nga miqtë dhe të njohurit e mi, meqë jam rritur në këtë lagje por natyrisht edhe nga përkrahësit e natyrshëm nga gjithë qytetarët që ndajnë synimet e mia politike.

Rezultati im, por dhe i gjithë partisë time në kantonin e Cyrihut, tregon shumë qartë se qytetarët po i kthehen frymës liberale – gjë që është jashtëzakonisht qetësuese, sidomos në pikëpamjet e synimeve të mia politike ku kam vënë në fokus politikën e migracionit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Por, megjithatë për mua nuk mjaftoi – gëzimi natyrisht zbehet me moszgjedhjen për mandatin e synuar. Humbja, apo të themi më mirë moszgjedhja, pasi dhe kemi fituar shumë nga kjo garë, është pjese e secilës garë të lirë dhe demokratike. Meqë diferenca për t`u zgjedhur është vetëm 56 vota, apo diku 30 persona (pasi një votues mund të mi japë dy vota) është vështirë të gjykohet se punët nuk ecën si duhet. Fushata jonë me ekipin tim ka ecur jashtëzakonisht mirë, unë besoj që pikërisht për këtë arsye ne kemi arritur këtë rezultat. Dhe gjëja më e bukur e fushatës sime ka qenë që tani së paku në zonën time, por edhe më gjerë, në gjithë kantonin, shumë qytetarë me origjinë shqiptare janë interesuar rreth sistemit politik e zgjedhor – gjë që nuk kishte ndodhur më parë.

Pra ne arritëm përmes fushatës që ta nisim një proces afatgjatë me një sukses – edhe pse nuk arrita të futem në kuvend.

Gjatë fushatës kam biseduar me qindra njerëz, kryesisht shqiptarë të zonës time kuptohet, me të cilët kemi diskutuar rreth shume çështjeve ku dhe ku më kanë ftuar në shtëpitë e tyre dhe m`i tregonin hallet që i kishin dhe donin t`ia parashtronin ato politikës. Mësova që shumë politikanë ende nuk e kanë të qartë se çfarë mendojnë qytetarët. Unë arrita të mësoj më shumë dhe tani ndjehem edhe më i përgatitur për rrugëtimin tim politik.

albinfo.ch: Si e vlerësoni ndikimin që ka mundur te ketë propaganda rreth pjesës së fushatës që e keni bërë në gjuhën shqipe? Ju ka sjellë më shumë vota nga shqiptarët apo ju ka dëmtuar më shumë nga ana e zviceranëve?

Përparim Avdili: Ashtu siç e thash dhe më parë unë besoj që ndikimi i fushatës sime në mënyre indirekte, pra duke mobilizuar shumë shqiptaro-zviceranë, dhe në mënyrë direkte duke më votuar mua brenda zonës time, ka qenë jashtëzakonisht i madhe. Ka qenë arsye kyçe e rezultatit pozitiv. Meqë nuk isha shumë i njohur për elektoratin në përgjithësi unë arrita brenda një kohe shumë të shkurtër që të profilizohem brenda zonës sime. Pastaj nuk besoj që ka pasur ndikime negative te votuesit me origjinë jo-shqiptare – por do të mbetet diçka që nuk mund ta dimë. Dhe nëse ka pasur paragjykime ndaj kandidaturës sime, besoj që ato paragjykimet nuk do t’ia kisha zbehë me asnjë fushatë. Propaganda e fushatës sime kishte pra efekt pozitiv, edhe pse disave mund të mos t’ju ketë pëlqyer.

albinfo.ch: Edhe pse votat nuk ju mjaftuan për t`u zgjedhur, ju keni vetëm 56 më pak se ai që është para jush. A pritet ndoshta ndonjë lëvizje e deputetëve të zgjedhur, ashtu që ju të zini vend megjithatë në Parlament?

Përparim Avdili: Si i treti i radhitur në listë unë do të jem zëvendësuesi i parë në listë për këta dy deputetët e zgjedhur nga zona ime për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Është pra një periudhë mjaft e gjatë për të cilën është vështirë të flitet qysh tani. Shumë gjëra mund të ndodhin në lidhje me lëvizjet e deputetëve brenda karrierës politike por edhe brenda jetës private që mund të çojnë deri te zëvendësimi i ulëses. Si do që të jetë, unë jam i gatshëm të marr mandatin.

albinfo.ch: Partia juaj, FDP, ka pasur një rezultat të shkëlqyeshëm në këto zgjedhje. Edhe ne kantone tjera ajo ka treguar një ngritje. Si e vlerësoni këtë trend, cilat janë shkaqet, të kujt janë meritat etj…

Përparim Avdili: Është e vërtetë që ne po i gëzohemi një rezultati të shkëlqyeshëm për zgjedhjet e së dielës, pasi dhe një rezultat të tillë se kishim paramenduar. Edhe pse prirjet ishin të tilla në zgjedhjet e fundit në disa kantone tjera, ne nuk prisnim që t`i fitojmë 8 mandate më shumë se në mandatin e kaluar.
Ka shumë arsye për këtë sukses; arsyeja kryesore është që shoqëria po i kthehet më shumë një fryme liberale dhe të hapur ndaj ndryshimeve dhe ndaj të tjerëve – diçka që na gëzon dhe neve si komunitet. Pastaj kjo arsyetohet edhe me situatën aktuale të Zvicrës, ku te qytetarët në përgjithësi kanë një pasiguri për të ardhmen sa i përket aspektit ekonomik. Edhe pse Cyrihu e ka ende dhe do ta ketë edhe në të ardhmen një ekonomi solide dhe të fortë, ngjarjet e fundit sidomos me kursin e valutës tonë, kanë ngjallur një pasiguri. Në situata të tilla përfiton ajo parti që besohet të ketë kompetencat më të mira për t’u ballafaquar me probleme të tilla – dhe në këtë rast është padyshim partia liberale FDP partia më e duhur. Pastaj ka dhe një rënie te partive të gjelbra, gjë që shpjegohet me mungesën e aktualitetit të çështjeve ekologjike – sikundër ishte për shembull rasti i Fukushima-s para disa vitesh. Problemet ekologjike aktuale i besohen tashmë edhe partive tjera, meqë ekologjia është bërë pjesë e secilës parti politike, edhe pse me qëndrime nganjëherë të ndryshme.

albinfo.ch: Ju e provuat veten për herë të parë në zgjedhje dhe dolët jo keq. Cili është hapi i ardhshëm? A keni ambicie tjera, ta zëmë në zgjedhje nivelesh tjera?

Përparim Avdili: Tani për tani është herët të flitet për synime konkrete në të ardhmen. Unë do të reflektoj rezultatin edhe brenda partisë dhe pastaj do të shohim hapet e ardhshëm Natyrisht që aktiviteti im politik do të vazhdojë, unë jam aktualisht zëvendëskryetar i partisë në rrethin ku jetoj por kur kam parasysh dhe rezultatin e arritur, edhe pse nuk ia dola të zgjidhem, kam së paku një obligim moral ndaj votuesve të mi të shumë që ta vazhdoj punën time.
Dua të shfrytëzoj rastin edhe përmes medieve që të falënderoj të gjithë qytetarët që ma besuan votën. Edhe pse nuk arrita të marr mandatin, ka qenë një jehonë shumë e bukur dhe prekëse gjë që u shfaq pastaj në rezultatin e arritur. Vetë fushata ime, por edhe e shqiptarëve të tjerë në këto zgjedhje tregon se ia vlen të mobilizohemi dhe të aktivizohemi në jetën publike e politike. Tani, edhe pse pa mandat, por me vota të konsiderueshme, rezultati im personal do të interpretohet dhe nga partia në përgjithësi – gjë që do të ketë ndikime pozitive. Prandaj u bëj thirrje të gjithë lexuesve tuaj që të shprehin atë çfarë kanë për të thënë – dhe këtë gjë ta bëjnë në shumë rrugë dhe mjete, por përfundimisht duke votuar çdo herë kur të vijë rasti.
Falënderoj gjithashtu të gjithë ata përkrahësit dhe mbështetësit që nuk ishin të pakët dhe që ma mundësuan një rezultat të tillë. Meritat i takojnë sidomos ekipit tim të mrekullueshëm që s’kurseu asgjë për të më ndihmuar gjatë rrugëtimit tim në këtë fushatë dhe që mundësoi strategjinë tonë.
Në fund dua të falënderoj dhe mediet që më dhanë hapësirë për kandidaturën time, në veçanti platformën tuaj albinfo.ch e cila ka treguar një përkujdesje të jashtëzakonshme për të gjithë politikanët shqiptarë dhe në veçanti për mua, qysh nga fillimi. Ju përgëzoj për punën e bërë dhe shpresoj që të vazhdoni me këtë ritëm në përpjekjet tuaja për t’i informuar shqiptarët në Zvicër.

Duhet votuar gjithsesi

“U bëj thirrje të gjithë lexuesve tuaj që të shprehin atë çfarë kanë për të thënë – dhe këtë gjë ta bëjnë në shumë rrugë dhe mjete, por përfundimisht duke votuar çdo herë kur të vijë rasti”.

Falënderim i veçantë për albinfo.ch

“Dua të falënderoj dhe mediet që më dhanë hapësirë për kandidaturën time, në veçanti platformën tuaj albinfo.ch e cila ka treguar një përkujdesje të jashtëzakonshme për të gjithë politikanët shqiptarë dhe në veçanti për mua, qysh nga fillimi. Ju përgëzoj për punën e bërë dhe shpresoj që të vazhdoni me këtë ritëm në përpjekjet tuaja për t’i informuar shqiptarët në Zvicër”.