Lajme

Babë e bir nga Gjeneva bëhen viralë në Tik-Tok

Shpejtim dhe Elion Krasniqi janë dy shqiptarë nga Zvicra që me këngët e tyre tashmë janë bërë shumë të dashur në rrjetin social Tik-tok

Që talenti në këndim është trashëgim, kjo qëndron. Ky talent mund të trashëgohet nga babai ose nga nëna, ose ka raste kur vazhdohet tradita në muzikë, e që jo rrallëherë rezulton suksesshëm.

Shpejtim Krasniqi, bashkë me të birin e tij, Elionin, janë bërë dy emra të njohur të muzikës shqipe përmes rrjetit social që ka “pushtuar” gjithë botën.

Në fakt, “brumin” e këndimit e kanë që moti, mirëpo promovimi i zërit të tyre tani ka marrë të tjera dimensione.

Ata të dy janë shumë të dashur tashmë për secilin shqiptar, pasi që këndojnë këngë të mirëfillta shqipe, me shumë shije dhe delikatesë.

“Është e vërtetë, me një këngë të realizuar në studion “LMN” e punuar nga Elioni, jemi bërë shumë shpejt ‘viralë’ dhe kjo na gëzoi shumë. Të kesh një përkrahje, e të marrësh shumë komente pozitive, sigurisht që të bënë të ndihesh mirë dhe detyrimisht rrit përgjegjësinë në punë”, shprehet Shpejtimi, i cili që nga viti 1986 ka emigruar në Gjenevë të Zvicrës, ku aty jeton dhe vepron.

Pavarësisht jetës dinamike në Zvicër, muzika dhe kultura shqiptare e përshkruan rrugëtimin e Shpejtimit përgjatë viteve.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

“Brezi ynë jemi rritur me këngë të bukura shqipe. Edhe pse larg atdheut, me pjesëmarrje në shumë evente kulturore, me dashuri e xhelozi jemi munduar ta ruajmë e ta kultivojmë muzikën e bukur shqipe. Vetë prezenca ime në skenë për shumë e shumë vjet flet se sa shqiptarët në mërgatë e duan dhe e vlerësojnë këngën shqipe. Është publiku ai që të mbanë në skenë”, tregon ai.

Duke qenë se Shpejtimi ka një krijimtari të pasur me muzikën si familje, ai e vlerëson Elionin që po ndjek rrugën e tij për këndim.

“Muzika në shtëpinë tonë ka jehuar gjithmonë. Më duhet të theksoj se për shumë vjet kam kënduar me partnerën time të skenës, Afërditën. E sigurisht që gëzohem fort që edhe Elioni ka një talent të padiskutueshëm për muzikë. Jorastësisht i kam mundësuar të ketë e të punojë në studion e tij “LMN”, gjithmonë duke respektuar dëshirën dhe talentin e tij”.

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Për revistën Albinfo.ch me shumë dëshirë ka folur edhe Elioni, i riu që ka rrëmbyer zemrën e shumë ndjekësve në rrjetet sociale, për shkak të zërit të tij dhe profesinalitetit që ai zotëron në këndim.

Elioni përveç muzikës, ka përfunduar edhe shkollën “Haute ecole de gestion ne Business Management”, dhe tani ka titullin “Becholor”.

“Muzika në shtëpinë tonë ka qenë prezente gjithmonë. Që të dy prindërit kanë punuar e vazhdojnë të punojnë shumë në ruajtjen e kulturës shqiptare këtu në mërgim. Ndaj që në moshën 5-vjeçare kam filluar të ndjek kurset e para të pianos, për të vazhduar më vonë në “Conservatoire Populaire de Musique de Geneve”, shprehet Elioni.

Për herë të parë Elioni është ngjitur në skenë si solist në moshën 6-vjeçare, me këngën “Endrra ime është muzika”. Kurse në vitin 2019 ka regjistruar këngën e parë “Bella”.

“Po ashtu kam bërë edhe një bashkëpunim me këngëtarin, producentin e njohur Hekuran Krasniqi, i cili është gjithashtu edhe producent i këngëve të tjera, si “M’lujte” (2020), “Katile” (2021) etj”, tregon Elioni.

 

17 qershor – Videoklipi i këngës “Moj e mira” do të realizohet në Londër

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Elioni për revistën Albinfo.ch ka treguar se tani është duke punuar për projekte të reja muzikore në studion “LMN production”, dhe së shpejti do të punohet kënga ‘Moj e mira’ me klip”.

Vlen të theksohet se realizimi i video-klipit do të bëhet në Londër, më 17 qershor.

Ndërkohë, sipas Shpejtimit, Tik-tok-u është një rrjet social që po e bën më të lehtë promovimin e këngëtarëve, që me shpejtësi mund të hysh në zemrën dhe shtëpinë e adhuruesve.

I pyetur se a po mirëpriten mirë këngët e tyre edhe nga shoqëria zvicerane, shprehet Shpejtimi: “Lirshëm them se po”.

“Vlerësohet e mirëpritet edhe nga zviceranët, po dhe nga nacionalitete e tjera që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Shpesh marrim komente edhe nga ta. Vlerësimin që morëm në “Festival der Kulturen”, Bernë, në muajin mars të këtij viti flet me së miri se sa mirëpritet muzika jonë e bukur nga zviceranët. Aty ku u ndërthurën e u gërshetuan muzika të shteteve të ndryshme, ku ne u vlerësuam me 74 nga 80 pikët maksimale”.

 

Grupi muzikor “Hareja” po përjeton suksese në festivale

Mund të jetë një imazh i 11 persona dhe dirndl

Grupi muzikor “Hareja” është formur që nga viti 2017 dhe përgjatë viteve, ky grup muzikor po promovon muzikën dhe vallet shqipe në Zvicër.

“Sa i përket grupit muzikor “Hareja” mund t’ju them se themelet e saj i ka që nga viti 2017, si korali” Nostalgjia”, emër që i këndonte mallit shumëvjeçar larg vendlindjeve tona. Muzikantë e adhurues të këngës shqipe u bëmë bashkë për të sjellë një gjini të re të artit këtu në mërgatë dhe ishim i vetmi koral me plot aktivitete në Zvicrën franceze”, tregon Shpejtimi.

Nga viti 2019 puna vazhdoi si grup muzikor “Hareja”, pikërisht se këtë mall donin ta përjetonin tashmë me nota të hareshme, siç ndikon në të përditshmen tonë kënga shqipe.

“E veçanta e grupit tonë’ është se të gjithë jemi shqiptarë, të ardhur nga viset e ndryshme të shqiptarisë. Të mbledhur nën ombrellen e shoqatës së ‘Komunitetit shqiptarë të Gjenevës’ jemi prezantuar me shumë sukses në aktivitete të ndryshme kulturore këtu në Gjenevë. Ne si grup kemi marrë pjesë edhe në festat kombëtare, në promovimet e librave, filmave, në mbrëmjet muzikore të organizuara edhe nga shoqatat e tjera”.

Duke qenë se grupi “Hareja” është i përbërë nga shqiptarë të krahinave të ndryshme, natyrshëm e kultivojnë edhe muzikën e të gjitha krahinave shqiptare.

“Në maj të vitit 2022 u prezentuam me shumë sukses në ‘Aulona Intefolk Festival edicioni 14‘. Ishte festival shumë prestigjioz, me pjesëmarrës të shumë grupeve të ndryshme nga shumë shtete evropiane e botërore. Prezentimi ynë “briliant” bëri që edhe këtë vit të marrim ftesë për pjesëmarrje në edicionin e 15-të, po të këtij festivali. E në muajin prill do të prezentohemi në dy koncerte në Kalabri. Një bashkëpunim – koncert të përbashkët me vëllezërit arberëshë”, përfundon Shpejtimi.