Integrimi

Bankieri që krijoi platformën “Jamatu”

Themeluesi i saj, Sysret Kastrati ka thënë se ky emër është kombinim i dy fjalëve të gjuhës shqipe "Jam-Aty" por në të folmen llapjane, "JamatU"

Trendet e zhvillimeve në teknologji çdo ditë e më shumë po ua lehtësojnë punën njerëzve për të kryer detyrime të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye është krijuar edhe platforma “Jamatu”. Ky emërtim, ndonëse tingëllon si të jetë nga japonishtja, në fakt gjenezën e ka në ka në rajonin e Llapit, në Kosovë.

Themeluesi i saj, Sysret Kastrati ka thënë se ky emër është kombinim i dy fjalëve të gjuhës shqipe “Jam-Aty” por në të folmen llapjane, “JamatU”.  Kjo platformë mundëson që të gjithë ata që kanë për të organizuar ndonjë prezantim, ngjarje apo event të ndryshme këtë ta planifikojnë pa harxhuar fare kohë dhe nga shtëpia apo zyra.


” ‘Jamatu’ do të jetë pazar digjital i ngjarjeve që shërben për të organizuar një ngjarje. Nëse jeni të interesuar të organizoni një ngjarje, në platformën “Jamatu” mund të gjeni të gjitha veglat e nevojshme për te bërë një organizim të tille, si lokacionin, muzikën, dekorimin, etj.. Ne ofrojmë teknologjinë që të gjitha ata që kanë nevojë për organizime të tilla t’ju lehtësohet planifikimi përmes platformës tonë”, thotë për albinfo.ch krijuesi i saj, Sysret Kastrati. Ai shpjegon se përmes platformës mund të organizosh dasmën në Kosovë nga Zvicra.

“Për shembull shqiptarët që planifikojnë të bëjnë dasmë, zakonisht ato i bëjnë në Kosovë. Për ta bërë këtë, ai detyrohet që të shkojë në Kosovë dhe me këtë rast ka shumë shpenzime si bileta e aeroplanit etj. `Jamatu` është faqja që ty t`i ofron të gjitha, pa pasur nevojë të shkosh në Kosovë për ta parë restorantin dhe të pyesësh nëse ka datë të lirë apo jo. Në platformën tonë janë në dispozicion me foto, si vendi ashtu dhe të gjitha detajet tjera që duhen”, shton ai. Të gjitha shërbimet në platformën “Jamatu” janë pa pagesë…

Puna dhe shkollimi, dëshira për tu vetëpunësuar

36-vjeçari, Sysret Kastrati është me prejardhje nga Kosova por ka lindur kryeqytetin zviceran por tash e disa kohë jeton në Cyrih. Ai gjithmonë ka pasur synim që të ketë një kompani të veten, gjë të cilën edhe e ka realizuar.
Kastrati ka kryer magjistraturën në drejtimin e administrimit të biznesit. Ai thotë se që në moshën e hershme është ballafaquar me ngjarje të cilat e kanë ndihmuar shumë që të përgatitet për të përballuar sfidat me lehtësi. Tregon se babai i tij ka qenë i vet punësuar dhe ai e ka ndihmuar shumë.
“Jam ballafaquar me gjëra që kanë të bëjnë me ndërmarrësi. Jam sfiduar me gjëra për të cilat nuk kam qenë i përgatitur por është dashur të merresha me to. Këso gjërash më kanë përcjell për shumë kohë por ato më kanë formësuar dhe gjithmonë kam pasur dëshirë që të punoj në Kosovë e Zvicër”, thotë Sysreti.

Ai tregon se pas mbarimit të shkollës, maturën e ka bërë në degën për ekonomi dhe më pas ka bërë praktikë për një vit në një bankë. Ndërsa pasi ka kryer praktikën ka vazhduar të punojë në Bankën “Credit Suisse” ku dhe është avancuar. Ai në sektorin financiarë  ka punuar për 11 vjet.

„Në moshen 22 vjecarë me kan avancuar ne punë dhe kam udhëhequr një departament ku kemi pasur për detyrë të bënim analiza dhe të gjenim zgjidhje për klientët e bankës. Kam ndërruar shumë departamente në bankë dhe ka qenë si ta ndërrosh punën shpesh pasi që gjithmonë më është dukur si diçka e re. Për një vit kam punuar edhe në Amerikë ndërsa pas kthimit jam caktuar të punoj në projekte ndërkombëtare të bankës. Një nga projektet më interesantë ka qenë hapja e një pike të bankës sonë diku në Indi. Atje kam qëndruar 8 muaj e po ashtu kam marrë pjesë edhe në hapjen e pikave të kësaj banke në shumë vende të ndryshme që ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Kam pasur fatin të udhëtoj shumë dhe të mësoj shumë nga këto përvoja jashtë shtetit”, thekson ai.

Projekti i parë që nuk u realizua si deshi Sysreti

Por ai tregon se pas 11 viteve vendosi të hiqte dorë nga banka për filluar diçka të re dhe atë ta bënte vet. Fillimisht thotë se ka pasur një ide të ngjashme me atë të kompanisë Uber , “pasi që gjithmonë e kam pasur dëshirë të merrem edhe me teknologji”. Ndërkaq ai pranon se aplikacionin për taksi nuk ka mundur ta zhvillojë edhe pse ka pasur disa kontakte me një kompani që tash vepron në Gjermani. Këtë projekt nuk ka mundur ta zhvillojë ashtu siç duhet për shkak të angazhimeve tjera.

Lidhja me Kosovën

Edhe pse nuk ka lindur në Kosovë, Sysret Kastrati gjithmonë ka qenë i lidhur me vendin ku kanë lindur prindërit e tij. Ai, tash e disa vite ka një kompani edhe në Prishtinë. “Gjithmonë kam qenë dhe jam i lidhur me Kosovën dhe ndoshta prej fëmijërisë më ka mbetur një lidhje e veçantë me vendin e prejardhjes. Kur ishim të vegjël, prindërit në çdo pushim na dërgonin në Kosovë dhe kjo na ka mbajtur të lidhur më Kosovën. Tash kam një kompani në Prishtinë e cila merret me programim dhe zhvillim, ku kam të punësuar 20 punëtorë”, thekson Kastrati.

Por ai shprehet se kjo nuk është e tëra pasi që ka ende plane për ta zgjeruar biznesin e vet në Kosovë. Tregon se ka pasur kontakte me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës për t`ia mundësuar shitjen e biletave në mënyrë online.  “Për shitjen e biletave online ne kemi sistemin e gatshëm. Ajo mund të bëhet qysh tash dhe pa marrë shumë kohë, përmes platformës Jamatu”, deklaron Kastrati.

Zhvillimi i kompanisë

Versioni i parë i “Jamatu” është bërë para dy viteve e gjysmë dhe ka vazhduar përmirësimi i tij. Përmes kësaj platforme janë organizuar me dhjetëra ngjarje në Zvicër për të cilat Sysreti tregon se nuk kanë bërë shumë marketing. Ata aktualisht po punojnë në një projekt me Raiffeisen Bank në Zvicër. Ndërsa për të ardhmen ka në plan që të zgjerojë kompaninë dhe thotë se është në kontakt me dy investitorë seriozë.

Ka punësuar 20 veta në Kosovë

“Gjithmonë kam qenë dhe jam i lidhur me Kosovën dhe ndoshta prej fëmijërisë më ka mbetur një lidhje e veçantë me vendin e prejardhjes. Kur ishim të vegjël, prindërit në çdo pushim na dërgonin në Kosovë dhe kjo na ka mbajtur të lidhur më Kosovën. Tash kam një kompani në Prishtinë e cila merret me programim dhe zhvillim, ku kam të punësuar 20 punëtorë”.

Jamatu ose “pazari digjital i ngjarjeve”

” ‘Jamatu’ do të jetë pazari digjital i eventeve që shërben për të organizuar një ngjarje. Nëse jeni të interesuar të organizoni një ngjarje, në platformën Jamatu mund të gjeni të gjitha veglat e nevojshme për te bërë nje organizim të tille, si lokacionin, muzikën, dekorimin, etj.. Ne ofrojmë teknologjinë që të gjitha ata që kanë nevojë për organizime të tilla t’ju lehtësohet planifikimi përmes platformës tonë”, thotë për albinfo.ch krijuesi i saj, Sysret Kastrati.