CH-Ballkani

Bashkim Iseni: Ikja nuk është zgjidhje

Në kuadrin e një serie shkrimesh që gazeta Blick e ka realizuar nga Kosova e lidhur me Kosovën, ka përfshirë edhe intervistën me dr. Bashkim Isenin, drejtor i platformës albinfo.ch. Në vazhdim po e japim intervistën e plotë, të përkthyer në gjuhën shqipe.

Blick: Duke shpresuar për një jetë më të mirë, aktualisht shumë kosovarë po ikin nga vendi i tyre. A mund t`i kuptoni këta njerëz?

Bashkim Iseni: Duhet bërë dallimi: Ka refugjatë që kanë me vete iphone, të tjerë, që vërtet janë të varfër dhe më tutje, të tillë që veprojnë në bazë të propagandës së mafisë së trafikantëve, të etshme për fitim. Ata që me të vërtetë nuk kanë perspektiva, unë i kuptoj. Ata duan ta ndryshojnë jetën e tyre dhe kanë vullnet për të punuar.

Si mund të mbijetojë një vend që i ikin njerëzit në një masë të tillë?

Është fakt që eksodi e dobëson Kosovën. Emigrimi nuk është zgjidhje. Njerëzve u duhet treguar me shembuj konkretë se si do të mund të funksiononte.

Çfarë duhet të ndryshojë një vend i vogël në mënyrë që t`u ofrojë banorëve të vetë një perspektivë?

Duhet krijuar besimin në politikë dhe në drejtësi. Shtete tjera, si për shembull Kroacia, i kanë futur në burg me procedurë të shkurtë ministrat e korruptuar. Një qëndrim i tillë konsekuent bën efekt.

Përse në Kosovë është kaq i përhapur korrupsioni në mesin e politikanëve?

Shumë prej tyre vazhdojnë shprehinë sipas të cilës të jesh politikan do të thotë të gëzosh privilegje. Një qëndrim i tillë e ka burimin nga Perandori Bizantine, ku shteti shërbente vetëm për të mbledhur taksa dhe për të dënuar. Vetëm pak prej tyre e kanë kuptuar se politikani duhet t`i shërbejë shtetit dhe me këtë edhe popullit. Kryetari i Prishtinës është një shembull në këtë drejtim.

Çfarë bën ai (Shpend Ahmeti) mirë?

Ai kërkon zgjidhje konkrete. Për shembull, synon të fusë transportin publik. Ai tregon guxim dhe e lufton mafinë. Ai madje ka ushtruar 70 padi kundër ekzekutivit të qytetit, Prishtinës. Ka rëndësi që shteti të fillojë të ndryshojë nga baza domethënë nga politikanët regjionalë.

Si mund t`i bindë ai politikanët tjerë të veprojnë si ai? 

BE, SHBA por edhe Zvicra duhet të ndihmojnë në ngritjen e shtetit të së drejtës në Kosovë. Ato duhet t`a ushtrojnë njëfarë presioni. Derisa qeveria ta kuptojë se çfarë e stabilizon vendin dhe çfarë tërheq investitorët.

Si ndodh kjo?

Kosovarët në Zvicër organizojnë herë pas here takime në mes të politikanëve kosovarë dhe ndërmarrjeve zvicerane. Në takime të tilla mysafirët nga Kosova kanë rastin të dëgjojnë se cilat kushte duhet t`i përmbushin ta në mënyrë që atje të investojnë ndërmarrjet e jashtme.

A ka kuptim të investohet në Kosovë? Çfarë ofron vendi?

Ndonëse vend i vogël, Kosova ka shumë përparësi: për shembull bujqësia, turizmi dhe njerëzit që flasin shumë gjuhë – pjesërisht edhe Schweizerdeutsch. Kosova ofron po ashtu edhe zona për zhvillimin e biznesit.

Kosova është bërë vend i pavarur në vitin 2008. Mos ka ardhur tepër herët themelimi i shtetit?

Jo. Ajo ka qenë zgjidhja e vetme. Kosova ka një histori shumë të bujshme, nevojitet edhe ca kohë derisa ta zhvillojë një strategji.

Në Zvicër vlerësohet se jetojnë rreth 220.000 kosovarë. A nuk do ta ndihmonte vendin nëse shumë nga njerëzit e arsimuar këtu do të ktheheshin në atdheun e tyre?

Diaspora në Zvicër edhe sot bën mjaft shumë – para së gjithash në aspektin financiar. Sa kohë që në Kosovë nuk ndryshon asgjë, një kthim nuk është atraktiv.

Si e vlerësoni ju: Sa kosovarë në kuadrin e fluksit aktual të refugjatëve vijnë në Zvicër?

Pasi që nuk kanë fare shanse për njohje të azilit, ka vetëm pak të tillë. Kosovarët e dinë, veç tjerash edhe përmes albinfo.ch, se në Zvicër kërkesat e tyre trajtohen brenda 48 orëve dhe menjëherë do të dëbohen. Për këtë arsye ata ia mësyjnë më me dëshirë Austrisë, Gjermanisë dhe Francës, ku situata me punën në të zezë është më pak e mbikëqyrshme (më pak transparente) dhe ku mund të kalojnë më lehtë në ilegalitet. Ndërsa në Zvicër nuk ka mundësi fshehjeje.

“Raserë” (ngasës të shpejtë të makinave), therës, plaçkitës: Imazhi i kosovarëve në Zvicër është i keq. Tash së fundi një kosovar është në kërkim për një vrasje në Cyrih. Përse është kështu?

Kriminaliteti i kosovarëve në Zvicër ka rënë. Ata sot nuk janë më kriminelë se të tjerët. Por për ta dëgjohet më shumë pasi që kosovarët përbëjnë një komunitet të madh në Zvicër. Mjerisht veprimet e tilla të veçuara të tmerrshme sikur ky në Cyrih vetëm sa i ushqejnë paragjykimet

Por ata janë më keq të integruar se, për shembull, italianët

Nuk e besoj. Më parë, në restorante të caktuara në Lozanë mund të lexoje këtë afishe: „Ndalohet hyrja për qentë dhe italianët”. Ofendime të tilla nuk ka pasur kur kanë ardhur kosovarët.

Kosovarët që jetojnë këtu ndjehen si zviceranë. Shembulli më i mirë është lojtari i Nati-t , Xherdan Shaqiri i cili bart me krenari kryqin zviceran në gjoks. Në fillim, kosovarët vinin më pak në kontakt me zviceranët pasi që në fakt shumica e kishin ndërmend të ktheheshin në Kosovë.

Në Kantonin e Lucernit CVP, për të fituar anëtarë të rinj, u është drejtuar kosovarëve në mënyrë veçantë. Si e vlerësoni ju këtë?

E shkëlqyeshme, pothuaj avangardiste. Por kosovarët nuk do të duhej të trajtoheshin në një nëngrup të CVP-së porse të integrohen fare normalisht në parti. Por, mbase megjithatë ka nevoje për një rrugë të tillë të tërthortë.

Kosovarët e CVP-së janë pjesë e një pakice të krishterë. Shumica e kosovarëve janë myslimanë. Si qëndrojnë ata në raport me ekstremizmin islamik në rritje?

Myslimanët kosovarë kanë në raport me besimin e tyre një qasje para së gjithash kulturore. Shumë prej tyre u takojnë Hanafitëve që domethënë njërës nga katër shkollat e islamit sunit. Hanafitët janë mirë të adaptueshëm. Ata i respektojnë rregullat në atdheun e tyre të ri dhe janë të mësuar të jetojnë bashkërisht me të krishterët.

Domethënë nuk ka simpati për Shtetin Islamik (IS)?

Absolutisht jo! Nuk ka simpati për fanatizmin, përveç përjashtimeve që natyrisht i gjejmë gjithkund e po ashtu edhe te kosovarët.

Si e shihni të ardhmen e këtij shteti të ri e të vogël? A ka shanse?

Nëse politika stabilizohet dhe nëse drejtësia bëhet e besueshme, absolutisht po. Unë shpresoj se Kosova inspirohet edhe nga modeli i Zvicrës- Të dy vendet kanë një strukturë shumë të ngjashme, vetëm që Zvicra funksionon pak më mirë.

Dhe nëse jo?

Atëherë më duhet të shikoj zi: Mund të ketë trazira sociale.

Kur do të jetë Kosova anëtare e BE-së?

Ndoshta pas 20 deri 30 vitesh. Që vendi të zhvillohet mirë, nevojitet edhe një gjeneratë.

Bashkim Iseni është themelues dhe drejtues i albinfo.ch, një faqe e lajmeve për shqiptarët e Zvicrës, e cila publikon edhe një revistë. Iseni ka ardhur në Zvicër në vitin 1990, pra para luftës në Kosovë dhe ka studiuar politologjinë në Universitetin e Lozanës ku edhe ka doktoruar. Ai është shtetas i natyralizuar i Zvicrës dhe jeton me gruan dhe dy fëmijët në regjionin e Lozanës.