Lajme

BE, 400 roje për sigurimin e kufijve të saj me Ballkanin!

Frontex do të përforcojë masat e mbrojtjes së kufijve të Greqisë me Maqedoninë dhe me Shqipërinë duke angazhuar edhe 400 rojtarë të kufijve nga BE-ja në Ballkan

Shtetet anëtare dhe Komisioni i BE-së planifikojnë të përforcojnë kufijtë e jashtëm  të tyre në Ballkan. Ky është njëri ndër synimet që ka vendosur para vetes samiti mbi “Rutën Ballkanike” të refugjatëve  që kryministrat e shteteve të BE-së po e mbajnë sot në Bruksel.

Nga drafti i deklaratës së përbashkët të pjesëmarrësve të samitit del se duhet përforcuar sidomos kufiri në mes të Turqisë dhe Greqisë, si porta e parë që e shfrytëzojnë refugjatët nga lindja për të ardhur në shtetet e BE-së.

Nga ana tjetër, agjencia e sigurimit të kufijve të BE-së, Frontex do të përforcojë masat e mbrojtjes së kufijve të Greqisë me Maqedoninë dhe me Shqipërinë. Për të arritur këtë, duhet angazhuar edhe 400 rojtarë të kufijve nga BE-ja në Ballkan.
Shefat e qeverive të një numri të shteteve të BE-së, në mesin e të cilëve edhe kancelarja gjermane Angela Merkel janë takuar sot pasdite në Bruksel për tu konsultuar si t`i jepet fund kaosit në rutën ballkanike të refugjatëve.  Në samit kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e dy vendeve joanëtare të BE-së, të Maqedonisë dhe të Serbisë, si shtete përmes të cilave kalon e ashtuquajtura “Rutë e Ballkanit”.