Lajme

BE nis bisedimet me Kosovën e Serbinë më 12 korrik

kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në raundin e ri të bisedimeve

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik.

Këtë e ka konfirmuar Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. Ai tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve AFP, raporton se presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbajnë një samit të premten, më 10 korrik, me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron.

Ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.

Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, i cili ndodhi si rezultat i akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale ndaj Presidentit Hashim Thaci dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.

Më pas,  Qeveria Hoti në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.