Kosova

Behgjet Pacolli ka mbetur mbi gjysmë ore në ajër me aeroplanin e tij, akuzon AACK-në

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme ka mbetur në ajër, në aeroplanin e tij, për mbi gjysmë ore.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka thënë se askush nuk e di pse ka ndodhur kjo, dhe se pasagjerët kanë përjetuar vështirësi për shkak të turbulencave të mëdha në territorin e pritjes për aterim.

“Dje pasdite, autoritetet e Aviacionit Civil të Kosovës na lanë në ajër (jo edhe mbi territorin e Kosovës) për 37 minuta. Askush nga ne nuk e di arsyen, por një gjë është e sigurt; Operatori amerikan ka leje të përhershme për aterrim në Prishtinë. Janë përfillur të gjitha veprimet e parapara me rregullat e fluturimit. Aeroporti i Prishtinës na informoi se nuk ka pasur asnjë pengesë për aterrim. Në aeroplan kanë qenë 7 pasagjerë, të cilët kanë përjetuar vështirësi për shkak të turbulencave të mëdha në territorin e pritjes për aterrim”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Ndër të tjera, ai ka thënë se shpreson ta mësojë arsyen pse ka ndodhur ky veprim nga autoritetet e Aviacionit Civil të Kosovës.

“Shpresoj shumë që këto ditë do të njoftohemi për arsyen e këtij veprimi të shëmtuar që si duket vjen nga vullneti i individëve të papërgjegjshëm që keqpërdorin detyrat e tyre zyrtare, megjithatë organet e drejtësisë janë në veprim”, ka thënë ai.