Lajme
Biden: Raketat në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se raketat që vranë dy persona në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia, përcjell albinfo.ch.
Shpërthimi i së martës në një fshat polak, pranë kufirit me Ukrainën, ndodhi pasi Rusia nisi një valë sulmesh raketore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Polonisë tha se raketat ranë në Përzevodov – rreth 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Rusia mohoi se është përgjegjëse për shpërthimin, ndonëse zyrtarët polakë thanë se raketat ishin prodhim rus.
Polonia është vend anëtar i NATO-s dhe sulmi rus në territorin e saj do të rrezikonte zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës, pasi NATO-ja është e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.
Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës ushtarake, është sulm ndaj të gjithëve.
Biden thirri një takim të liderëve të mbledhur në Bali të Indonezisë për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20.
I pyetur nëse është herët të thuhet se raketat që ranë në Poloni, u hodhën nga Rusia, Biden tha:
“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”.
Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.
Shpërthimi në Poloni ndodhi pasi Rusia sulmoi me raketa disa qytete të Ukrainës.
Kievi tha se sulmet e së martës ishin vala më e rëndë e tyre në gati nëntë muaj luftë.
Disa raketa goditën edhe Lvivin, i cili ndodhet më pak se 80 kilometra larg kufirit me Poloninë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se raketat ruse goditën Poloninë, duke përshkallëzuar në mënyrë të konsiderueshme konfliktin. Megjithatë, ai nuk paraqiti ndonjë provë për përfshirjen e Rusisë.
“E gjithë Evropa dhe bota duhet të mbrohen plotësisht nga Rusia terroriste”, shkroi Zelensky në Twitter, pas një telefonate me presidentin polak, Andrzej Duda.
Dy diplomatë evropianë thanë se Polonia kërkoi një takim të NATO-s, që pritet të mbahet gjatë ditës së sotme, në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s për konsultime midis aleatëve.
Polonia rriti gjithashtu gatishmërinë e disa njësive ushtarake, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.
Morawiecki u bëri thirrje polakëve të qëndrojnë të qetë, ndërsa presidenti Duda tha se nuk ka prova konkrete që tregojnë se kush i hodhi raketat.
E-Diaspora
-
Tifozët Kuq e Zi protestojnë para FSHF-së, kundërshtojnë organizimin e përbashkët Shqipëri-Serbi Tifozat Kuq e Zi kanë protestuar mëngjesin e kësaj të hëne para zyrave të Federatës Shqiptare...
-
Puna në qiell të jep ndjenjën e paqes
-
Hapet në Toronto Java e Kulturës së Kosovës
-
Cyrih: Zhvillohet seminari “Institucionalizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë – Zvicër”
-
Paraqitet si kroat, me pasaportë false – burgoset muratori nga Kosova
Jeta në Zvicër
-
Buxheti i mbrojtjes i propozuar prej 15 miliardë frangash, pritet të dështojë Një rritje e propozuar prej 15 miliardë frangash për buxhetin e mbrojtjes nuk ka gjasa të...
-
Shtatë gjëra që shtetasit jo-BE duhet t’i dinë rreth zhvendosjes në Zvicër
-
Cyrihu, qyteti i tretë më pak tërheqës evropian, për të ardhurat nga qiraja e pronave
-
Zvicër: Lajmet kryesore të ditës së hënë
-
Çiklizmi në tren: Rezervimi i vendit nuk e zgjidh mungesën e hapësirës