Kosova

Bizneset kosovare, kundër “Mini Shengenit” ballkanik

Për kryetarin e OEK, Berat Rukiqi, asnjë iniciativë ekonomike rajonale nuk do të ketë sukses pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë

Më 10 nëntor gjatë një takimi në Ohër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, pa pjesëmarrjen e Kosovës kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal.

Sipas marrëveshjes, e cila u quajt “Mini Shengeni ballkanik”, tri nga nëntë pikat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të mallrave, transferin e kapitalit financiar dhe unifikimin doganor.

Përfaqësues të biznesit thonë se Kosova nuk duhet të marrë pjesë në këto nisma ekonomike, pasi sipas tyre, vendi ynë ka nevojë që t’i rishikojë marrëveshjet paraprake.

Lidhur me këtë, kryetari i Bordit të Odës Afariste të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha për Telegrafin se vendi ynë nuk duhet të marrë pjesë në këtë nismë, sipas tij, marrëveshjet paraprake e kanë dëmtuar ekonominë e Kosovës.

“Ne besojmë se Kosova në aspektin ekonomik nuk duhet të marrë pjesë, sepse nuk ka një strategji të vetën të ecjes së zhvillimit ekonomik. Mungesa e kësaj strategji e bën të pamundur që ta nënshkruajë një strategji të re dhe ta zbatojë atë. Kosova ka nevojë që t’i rishikojë të gjitha këto marrëveshje, para se të vijë te marrëveshja e re, në mënyrë që të jetë më e fuqishme në rast se e hap tregun e rajonit se sa që e ka tani”, tha Krasniqi.

Ai tregon se Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA) dhe ajo e Stabilizim-Asociimit (MSA) e kanë dëmtuar Kosovën, pasi janë nënshkruar pa koordinim me biznesin.

“Takime si këto në aspektin e përgjithshëm nuk janë të këqija, në qoftë se shikohet për Kosovën, por forma se si vendi ynë i ka nënshkruar këto marrëveshje, si CEFTA dhe MSA, kanë qenë forma që e kanë dëmtuar Kosovën, të cilat janë nënshkruar pa ndonjë koordinim me biznesit”, tregon ai.

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, asnjë iniciativë ekonomike rajonale nuk do të ketë sukses pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai në një shkrim në Facebook ka reaguar, duke thënë se ky “Mini Shengen” ballkanik duhet të përmbajë argumente kredibile ekonomike.

“Problemi fundamental në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është marrëdhënia aktuale Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë sukses asnjë iniciativë e re, asnjë reformë në procesin e zgjerimit, asnjë iniciativë ekonomike dhe financiare për rajonin, pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Integrimi politik dhe ekonomik në rajon është i pamundshëm në rrethanat kur vendet që synojnë integrimin nuk e njohin njëra-tjetrën”, ka shkruar Rukiqi.

Nisma për “Mini Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Ai në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajtur të premten e kaluar në Davos të Zvicrës, është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën, përcjell Albinfo.ch.

Takimi i radhës së liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës, më 21 dhjetor, ku pritet të jetë sërish e ftuar edhe Kosova.