Kosova

Bjeshkët e Kosovës, në pritje për t’u shijuar

Stina e verës u ka dhënë hijeshinë bjeshkëve, me ngjyra gjallëruese, me gjelbërimin intensive që fton për ekspedita të gjata zbuluese të vendeve më të bukura, për shijimin e ushqimeve natyrale dhe mikpritjes

Bjeshkët e Kosovës janë të bukura nga çdo perspektivë. Në to mund të përjetoni përvoja të paharrueshme mes ajrit të pastër karshi natyrës magjepse që është treguar vërtet bujare me këtë vend.

Këtë vit, mërgimtarët mund të organizojnë shëtitje të tilla në natyrë që do të mbeten gjatë në kujtesën e tyre.

Stina e verës u ka dhënë hijeshinë bjeshkëve, me ngjyra gjallëruese, me gjelbërimin intensive që fton për ekspedita të gjata zbuluese të vendeve më të bukura, për shijimin e ushqimeve natyrale dhe mikpritjes. Të gjitha këto bashkë i ofrojnë Bjeshkët e Kosovës.

Bjeshkët e Nemuna, perlë e natyrës  

Bjeshkët e Nemuna janë perlë malore të përbëra nga më shumë se dyzet varmale të ndara mes tyre nga lugina të thella, gryka dhe kanione. Konsiderohet si “grupi më gjigant malor në Gadishullin Ballkanik”. Bjeshkët e Nemuna janë një rajon ndërkufitar i ndarë midis Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Peizazhi i mrekullueshëm malor dhe luginat e Bjeshkëve të Nemuna ndajnë një natyrë të egër me faunë të jashtëzakonshme dhe një mënyrë jetese tradicionale që është pothuajse unike në Evropë.

Bukuritë magjike që dhurojnë Bjeshkët e Rugovës

Foto: Bess Hamiti

Pepaj, Rugovë

Rugova është një rajon malor që ndodhet në veriperëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë. Është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna dhe është e njohur edhe si Alpet Shqiptare. Më 2013 ajo u shpall si Park Kombëtar.

Bjeshkët e Rugovës konsiderohen si një nga atraksionet më të mira turistike malore në Kosovë. Bukuritë e këtij vendi janë të jashtëzakonshme, me shumë atraksione natyrore, të cilat karakterizohen me pamje të magjepse.

Kjo zonë e Kosovës është kthyer sot në destinacion turistik jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të mërgimtarëve që janë në kërkim të natyrës e aventurës. Ata mund të eksplorojnë pa fund nëpër magjitë e Bjeshkëve të Rugovës. Nuk është kurrë vonë për të zbuluar të bukurën, e sidomos, kur ajo është fare pranë pushimeve tuaja.

Majet e Vjellakut – Rugovë

Gryka e Rugovës

Foto: Bujar Gashi

Gryka e Rugovës është një atraksion i rrallë natyror që mund ta ndeshni nëse e vizitoni Pejën, qytetin e bukur, përmes të cilit gjarpëron lumi me ujë bjeshke, me emrin Lumbardh.

Kanioni i Rugovës (Gryka e Rugovës) është një nga kanionët më të gjata dhe më të thella të Evropës. Ai gjendet afër Pejës, në Bjeshkët e Nemuna.

Një urë harkore e njohur lidh kanionin, para së cilës është një shkëmb me një vizatim të një atleti që mendohet të jetë nga periudha pellazge.

Bjeshkët e Shalës së Bajgorës

Foto: Bess Hamiti

Bjeshkët e Shalës së Bajgorës janë mjaft të pasura me shtigje ideale për të kaluar një ditë vere pushimi.

Bajgora shtrihet në pjesën veriore të vendit, 30 km në veri të Prishtinës, me një lartësi prej 1,203 metra mbi nivelin e detit.

Terreni përreth Bajgorës është kodrinor. Pika më e lartë në afërsi ndodhet 1.7 km në verilindje të Bajgorës dhe është 1501 metra mbi nivelin e detit.

Foto: Nazlie Rexhepi

Bjeshkët e Junikut, mahnitëse

Një vend i mahnitshëm për të kaluar një vikend të tërë me familje, për të parë botën shtazore dhe mrekullitë natyrore. Këtë e ofrojnë bjeshkët e Junikut.

Edhe mikpritja e vendasve këtu është një ndër arsyet pse duhet vizituar Junikun.

Ndërsa Gjeravica me 2656 metra lartësi mbetet synim e dëshirë e shumë vizitorëve.

Fshat i zhytur nën magjinë e natyrës

Bjeshkët e Junikut kanë pamje fantastike, ato duken mahnitëse gjatë stinës së verës. Nën qiellin e kaltër, dhe me ajër të pastër, majat dhe luginat të pacenuara që shtrihen në çdo drejtim, të mbuluara me male, ofrojnë pamje përrallore.

Përgjatë këtyre bjeshkëve magjepse shtrihet maja me e lartë në Kosovë, Gjeravica, me 2.656 metra lartësi mbidetare, edhe pse lartësia e vërtetë mund të jetë për disa metra më e madhe.

Kjo maje malore gjendet në perëndim të Kosovës, gjegjësisht në vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna që ndajnë kufirin shtetëror të Kosovës, gjegjësisht komunës së Junikut me Shqipërinë.