Integrimi

Boksieri dhe teologu “kryqëzojnë dorëzat” për integrimin e të huajve

Për shumë bashaktdhetarë të tij ai përbën një model. Kjo është arsyeja që Tefik Bajramni 40 vjeçar duhet të ndihmojë në integrim

Sportet marciale (luftarake) mund të kenë efekt parandalues dhe të ndihmojnë integrimin. Për këtë janë buindur tashmë boksieri i njohur Tefik Bajrami dhe teologu Daniel Ammann. Një artikull i publikuar në portakin e SRF-së tregon se si e përdorin dy të përmendurit boksin për të integruar të rinjtë me prejardhje të huaj.

“Mannebüro” në Lucern, me kryetar Daniel Ammann-in, prej vitesh u ofron ndihmë meshkujve të dhunshëm në situatat e krizës. Këtë e bën qoftë përmes telefonit e qoftë përmes këshillimit individual. Së fundi zyra në fjalë bashkëpunon me shkollën e sporteve marciale “Bajrami” në Littau (Lucern).

Teologu Ammann është i bindur se pronari i shkollës në fjalë, boksieri i suksesshëm Tefik Bajrami mund të jetë një “hapës dyersh” për institucionet, transmeton albinfo.ch. Tefiku ka ardhur në Zvicër, në Lucern, në vitin 1992. Sot, përveç që është pronar i shkollës së sporteve marciale, ai udhëheq edhe ndërmarrjen e vet të sigurimit dhe është anëtar i komisionit për integrim në nivel të qytetit të Lucernit.

Për shumë bashaktdhetarë të tij ai përbën një model. Kjo është arsyeja që Tefik Bajramni 40 vjeçar duhet të ndihmojë në integrim, përcjell albinfo.ch. Ai frekuenton “të dy botët” (të huajt dhe vendësit) dhe mund të kontaktojë edhe grupet e meshkujve të cilat, ndryshe “Mannebüro” nuk mund t`i arrijë, është i bindur Daniel Ammann.

“Puna e integrimit shpesh udhëhiqet nga gratë. Por janë pikërisht meshkujt e rinj, të ardhur rishtas në Zvicër dhe të sfiduar nga kultura e këtushme, ata që kanë nevojë për idhuj meshkuj”, thotë teologu.

Kështu, boksieri profesionist Tefik Bajrami, gjatë stërvitjeve ua tregon të rinjve jo vetëm teknikën e duhur të boksit por njëkohësisht bën marketing edhe për kurset dhe këshillimet në këshillimoren për të huajt, Fabia.

Sigurisht, të dy e dinë se skena aktuale e kickboksit në Zvicër nuk gëzon ndonjë imazh të mirë. Ka pasur djem të rinj që nga  ambientet e tilla kanë udhëtuar drejt Sirisë për të luftuar në anën e ISIS-it. Tefik Bajrami tund kokën dhe psherëtin thellë: “Ky është vërtet një problem. Por ne këtu jemi në Lucern dhe i njohim njerëzit”, thotë ai. Ndërsa teologu Ammann e plotëson: “Secili sport mund të keqpërdoret. Ky është një realitet i dhembshëm”.

Ata të dy shpresojnë se projekti i tyre për integrim në shkollën e sporteve luftarake do të funksionojë dhe shpresojnë po ashtu se do të kenë shumë mysafirë kureshtarë gjatë kësaj fundjave, përcjell albinfo.ch. Dita e derës së hapur në shkollën e sporteve marciale “Bajrami” në Littau mbahet sot.