Lajme

Si po i përballon pasojat Bullgaria pas refuzimit të gazit rus

Pas refuzimit të qeverisë bullgare për të paguar gazin natyror nga Rusia në rubla, pritej vendimi i Moskës për të pezulluar furnizimet.

Megjithatë, kjo e ka vënë në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë kabinetin e kryeministrit Kiril Petkov.

Bullgaria konsumonte rreth 3 miliardë metra kub gaz natyror në vit, 90% e të cilit importohej nga Rusia. Konsumatorët më të mëdhenj të gazit natyror në Bullgari janë kompanitë e ngrohjes qendrore, veçanërisht kompania e ngrohjes me seli në Sofje, e cila konsumon rreth një të tretën e karburantit në vit.

Sigurisht që me ardhjen e sezonit veror, mungesa e gazit nuk do të ndihet aq shumë nga familjet. Megjithatë, më e rëndësishme është çështja e strukturave industriale, të cilat sipas ekspertëve, nuk do të mund të funksionojnë për një muaj.

Rritja e çmimit të gazit natyror do të shtojë tensionin në shoqërinë bullgare, paralajmëroi kryetari i Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare, Plamen Tonchev, në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, në lidhje me furnizimet e pezulluara të gazit natyror nga kompania ruse Gazprom. Nëse burimet alternative nuk sigurohen në kohë dhe çmimet vazhdojnë të rriten, industritë do të bëhen veçanërisht të cenueshme.

Në këtë fazë, askush nuk mund të parashikojë dot se sa do të zgjasë kjo krizë, sa do të kushtojnë furnizimet alternative dhe si do të ndikojë kriza në inflacion.

Në një intervistë me BNR, Anton Petrov, kryetari i Shoqatës Bullgare të Industrisë Metalurgjike, tha se “nuk ka asnjë kompani në botë që mund të përballojë dot një goditje të tillë me një rritje 30-35-40% të çmimit të gazit”, brenda disa ditëve dhe pa paralajmërim.
“Për momentin, jemi duke blerë një produkt që nuk ka ende një çmim konkret.

A ka ndonjë kompani që mund ta përballojë këtë luks, të punojë në kushte të tilla, të bëjë marrëveshje, pa ditur se sa do të kushtojë përfundimisht lënda e parë dhe energjia me të cilën punon?

Në Bullgari, gazi vinte kryesisht nga Rusia. Ne kemi kontrata vjetore me Bulgargaz dhe jemi mbështetur gjithmonë në qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri. Në një ndërmarrje të madhe, ku nuk dihet se sa do të kushtojë energjia dhe lënda e parë dhe vazhdohet me prodhimin, kjo është katastrofike, vdekjeprurëse. Papritur, më 27 prill, mësojmë se dërgesat kanë ndalur, pa asnjë alternativë.

Qeveria jonë ka vendosur të jetë e para që do të marrë këtë vendim dhe të mos e paguajë gazin në rubla. Ne jemi shume të vegjël dhe të pambrojtur për të marrë pozicione kaq ekstreme. Ekonomia jonë është më e dobëta në gjithë Bashkimin Europian dhe nuk mund të mbajë dot barra të tilla.

Nëse duam të jemi të pavarur, duhet të kishim një ekonomi të krahasueshme me kombet e tjera europiane. Nuk ka çmime të tilla për kompanitë në Europë, ato mund të kontrollohen”, deklaroi me vendosmëri Anton Petrov.

Cila do të ishte zgjidhja më e mirë?

“Bullgaria është një eksportuese neto e energjisë elektrike dhe kjo çështje mund të zgjidhet lehtësisht në nivel vendor.

Paratë që shkojnë për kompanitë energjetike si fitime shtesë, në kushtet aktuale të krizës, duhet të rishpërndahen dhe t’i kthehen industrisë, në mënyrë që ajo të mund të funksionojë në mënyrë konkurruese”, tha kryetari i Shoqatës së Industrisë Metalurgjike.

“Formula që ne ofrojmë është 75% për industrinë dhe 25% për kompanitë e energjisë elektrike. Ky kompensim do të ngadalësojë, deri diku, inflacionin. Për momentin, paratë shkojnë për sektorin e energjisë, sektori industrial nuk mund të zhvillohet, disa kompani tashmë po mbyllin prodhimin dhe inflacioni po rritet”.

Tani për tani, alternativa e propozuar nga qeveria bullgare është që Bullgaria të furnizohet me gaz natyror nga terminali në ishullin grek Revithousa. Po punohet gjithashtu për ndërtimin e një terminali të Gazit Natyror të Lëngshëm (GNL) pranë Aleksandoupolis, ku Bullgaria ka 20% të aksioneve.

Megjithatë, këto furnizime pritet të rriten me më shumë se 30%, sepse sasia që vjen nga Greqia nuk është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e Bullgarisë dhe vendi duhet të blejë gaz me çmimet e tanishme, të cilat janë tepër të larta, parashikon ish-ministri i Energjisë, Rumen Ocharov.

“Faturat me të cilat Bulgargaz furnizon gazin natyror në maj, si dhe kuotat TTF për muajin prill, janë më të ulëta se 30 euro për megavat/orë. Nëse do ta kishim transferuar këtë në çmimin e energjisë, i cili tani është 70 euro, ai mund të ishte ulur në 50 euro.

Por, në vend të kësaj uljeje, do të kemi një rritje të dërgesave nga Greqia dhe do të paguajmë mbi 100 euro. Edhe po të shtojmë gazin që marrin nga Azerbajxhani, çmimi nuk mund të shkojë nën 90 euro.

Në praktikë, diferenca në çmimin që do të paguajmë në krahasim me konkurrentët e industrisë bullgare që përdorin gaz, është pothuajse dyfish. Në të njëjtën kohë, rezervat e gazit në Chiren, u zbrazën në dimër dhe pranverë. Është një krim kombëtar që të zbrazësh një objekt magazinimi kur pritet lufta ose në kohë lufte”.

Cilat do të jenë pasojat?

Përveç rritjes së çmimeve të mallrave thelbësore, ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë për falimentimin e spitaleve, shkollave, bashkive të vogla… Kjo do të prekë, pa dyshim, edhe qytetarët e zakonshëm bullgarë, shumë prej të cilëve janë në vështirësi financiare./monitor


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI