Lajme

Cila është data e finales në Ligën e Kampionëve?

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka konfirmuar se 3 gushti është data më e fundit e mundshme për finalen e Ligës së Kampionëve 2019/20.

Pandemia koronavirus ka bërë që sporti në pothuajse gjithë botën të pezullohet gjatë, por sistemi i futbollit evropian është prekur në një shkallë të paparë deri më tani.

Shumë prej ligave kryesore janë pezulluar për kohë të papërcaktuar dhe kjo ndalesë e ka detyruar UEFA-n ta shtyjë Kampionatin Evropian 2020 për një vit, duke i dhënë pak më shumë kohë sezonit të klubeve për t’u kompletuar.

Synimi është që sezoni 2019/20 të përmbyllet para përfundimit të muajit korrik, por kjo duket vështirë e arritshme, duke nxitur debat se çfarë do të ndodhë nëse pandemia nuk ndalet, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.