Bota

Cilat janë shtetet më problematike për lirinë e medias në Europë

Bota e shtypit gjendet përballë “humbjeve drastike”, ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara, teksa theksoi rëndësinë që ka “informacioni si një e mirë publike” në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Organizata ndërqeveritare tha se kriza e coronavirusit ka detyruar shumë media të ulin qepenat, të shkurtojnë stafet, e disa të tjerë të përballen me “kapjen nga politika”.

Në prill, organizata Reporterët Pa Kufij (RSF) publikoi indeksin e lirisë së shtypit ku nënvizonte sesi pandemia i ka dhënë regjimeve autoritare një justifikim për të sulmuar mediat.

Për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Euronews i ka hedhur një vështrim dhjetë vendeve që renditen më keq për lirinë e shtypit në Europë, sipas indeksit të RSF.

Bjellorusia

E cilësuar si “diktatura e fundit e Europës”, Bjellorusia renditet në vend të fundit për lirinë e shtypit në kontinentin europian.

Sjellja e pahijshme ndaj gazetarëve ra edhe më shumë në sy gjatë zgjedhjeve të dyshimta ku u rizgjodh presidenti Alexander Lukashenko, në gusht të vitit të shkuar.

Shumë gazetarë u arrestuan nga forcat e rendit në përpjekje për të raportuar protestat masive kundër regjimit të një personi në pushtet prej 26 vitesh, kohë kur vendi shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.

Në 2020, Reporterët Pa Kufij e renditi Bjellorusinë si vendi më i rrezikshëm për gazetarët në Europë.

Shoqata e Gazetarët të Bjellorusisë dokumentoi 366 arreste dhe 60 incidente të dhunshme kundër gazetarëve në muajt që vijuan pas zgjedhjeve presidenciale.

Turqia

Si shteti që mbante rekordin për shifrat më të larta në botë për burgosjen e gazetarëve, të paktën deri vitin e shkuar, sipas RSF gazetarët që kritikojnë qeverinë e Recep Tayyip Erdogan vazhdojnë të bien pre e sulmeve.

Reporterët Pa Kufij thotë se qeveria ka asgjësuar mediat opozitare dhe përdori grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016 për të nxjerrë dekrete që shtypin edhe më shumë mediat.

Në 2021, ka qenë Kina ajo që ka tejkaluar Turqinë për numrin e gazetarëve të arrestuar, megjithatë kjo e fundit mbetet vendi i dytë në Europë për lirinë e shtypit, sipas indeksit të RSF.

Rusia

Rusia vijon të shtypë lirinë e medias, jo vetëm për pandeminë, por edhe si pjesë e luftës kundër kritikut më të fortë të Vladimir Putin, Alexei Navalny.

Përveç mijëra protestuesve të arrestuar nga policia, ka pasur dhe gazetarë të shumtë që ka rënë nën pranga.

Nga ana tjetër, mediat vendase “kanë luftuar për muaj me radhe” që të raportojnë mbi shifrat reale të COVID-19 dhe menaxhimin e pandemisë nga qeveria, por vetëm në dhjetor 2020 administrata e Putin pranoi se numri i viktimave ishte tri herë më i lartë se shifrat zyrtare.

Bullgaria

Deri para indeksit të 2021, Bullgaria ka qëndruar për tre vite radhazi në fundin e listës për lirinë e shtypit në Europë.

RSF cilësoi vendin fqinj si “delja e zezë e BE” në 2020 dhe shprehet se gazetarët që guxojnë të flasin “bëhen vazhdimisht subjekt i sulmeve nga shteti”.

Mali i Zi

Pavarësisht ardhjes së qeverisë së re në 2020 e cila deklaroi se kishte si prioritet përmirësimin e lirisë së shtypit, deri më tani nuk ka pasur ndryshime ligjore domethënëse për të lejuar që kjo të ndodhë, sipas RSF.

Raporti i Komisionit për vitin 2020, theksoi përmirësim në thuajse të gjitha fushat e negociatave, përveç lirisë së shtypit, madje vendi u kritikua për një sërë arrestimesh dhe procedimesh ligjore mbi disa postime të gazetarëve në rrjetet sociale.

Serbia

Serbia mbetet sërish në vend të 93 në indeksin e 2021, teksa RSF ka paralajmëruar se vendi është “pre e lajmeve të rreme të përhapura nga mediat pro-qeveritare”.

Gazetarët përballen me “sulme thuajse të përditshme” ndërsa RSF theksoi rastin kundër gazetares Ana Lalic, e cila u arrestua dhe u mbajt për 24 orë pasi raportoi nga një prej spitaleve gjatë pandemisë.

Qeveria ka përdorur pandeminë për të miratuar ligje që ua vështirësojnë punën gazetarëve, disa prej të cilave u tërhoqën më pas.

Hungaria

Hungaria renditet vetëm një vend sipër Serbisë.

BE ka shprehur shqetësim mbi “lirinë e shtypit dhe pluralizmit” në vend, veçanërisht pas një rasti kur autoritetet pezulluan licencën e një prej radiove të para të pavarura të vendit.

Maqedonia e Veriut

Gjendja e emergjencës për shkak të pandemisë ka përkeqësuar situatën e gazetarëve në vend, në atë që RSF e ka cilësuar “një kulturë pandëshkueshmërie të rrënjosur”, për sa i përket sulmeve mbi liritë e medias.

Por, shpresa mbetet tek Kodi i ri Penal i cili pritet të krijojë një ambient më të sigurt për gazetarët./Euronews