Lajme

Çitaku reagon mbi mohimin e masakrës nga Vuçiqi

Ish-ministri nga radhët e Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, është dënuar sot me dy vjet burgim, pasi e kishte quajtur Masakrën e Reçakut një ‘fabrikim’.

Për dënimin e Teodosijeviq ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, duke përsëritur të njëjtën deklaratë skandaloze të Teodosijeviqit.

Për këtë deklaratë të presidentit serb ka reaguar ashpër ambasadorja e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku, duke i cilësuar  si çmenduri totale mohimin që Vuçiq ia bën Masakrës së Reçakut dhe krimeve të forcave paramilitare serbe në Kosovë.

“Presidenti i Serbisë sapo ka deklaruar që Masakra e Reçakut është një krim i fabrikuar. Kjo është një çmenduri totale”, ka shkruar ambasadorja Çitaku në Twitter, shkruan GE, përcjell albinfo.ch.

“Reçaku ishte një tragjedi, e cila shpalosi dhe zbuloi para syve të botës egërsinë e vërtetë të regjimit serb në Kosovë”, ka shtuar tutje Çitaku.

Çitaku ka thënë se deklarata të tilla janë një turp për Serbinë dhe se mohimi i krimeve të kryera nga forcat serbe është i papranueshëm.